Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shqyrtohet aplikimi i jurisprudencës së GjEDNJ-së në Kosovë

 
   

Sot është publikuar raporti “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”. Sipas këtij raporti, jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përdoret më shumë në rastet civile, rreth 18.7% të rasteve të monitoruara, ndërsa në rastet administrative dhe penale përdoret më pak, respektivisht 10% dhe 8.7%.

IKD, Lëvizja Fol, INPO, bashkë me Ambasadën Gjermane organizuan tryezë që shpalosi në detaje raportin.

“I kam kushtuar rëndësi faktit që nëse Kosova do të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës, do të kishim pas mundësi që brenda vitit të parë pas anëtarësimit, po të kishim edhe institucione të konstituara, Kuvend dhe Qeveri, me dhjetëra konventa t’i ratifikojmë dhe t’i dërgojmë në Këshillin e Evropës”, tha Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së.

Ndërsa, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë se raporti ka ofruar shumë gjetje sa i përket gjyqtarëve. Ai ka shfrytëzuar rastin për thirrje ndaj institucioneve të vendit për përmbushje të obligimeve rreth dialogut dhe sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Aplikimi i jurisprudencës, vetëm 13% i referohen Konventës dhe natyrisht, pa i pasur vendimet specifike në kohëzgjatje për gjykim të rasteve, domethënë zgjat 3 vite e gjysmë, është përtej asaj se çfarë konsiderohet kohë e arsyeshme sipas Konventës”, ka thënë Rohde.

Fejzullah Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Supreme, ka thënë se sistemi i drejtësisë nuk është në gjendjen më të mirë, por sipas tij, ka ardhur në një stad ku sistemit i nevojitet pjekuria.

“…kur them pjekuria mendoj që gjyqtarët duhet të fokusohen tek vendimmarrja dhe tek zbatimi i lirive dhe të drejtave të njeriut në plotni, do të thotë nuk guxojnë të kenë vendim që bie ndesh me praktikat e GjEDNj-së”, u shpreh Rexhepi.

Besim Kelmendi, Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, foli për të gjeturën e parë të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së në Kosovë”, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor. Ai tha se në vitin 2022 është nxjerrë Kodi i ri i Procedurës Penale i cili ka parashikuar edhe afate strikte të cilat duhet të respektohen nga Prokuroria dhe Gjykatat.

“Ne jemi munduar që menjëherë ta ndryshojmë qasjen e prokurorive në përputhje me këto afate”, tha Kelmendi, duke shtuar se ka lëshuar edhe udhëzim detyrues që këto afate të respektohen.

Naim Qelaj, Avokat i Popullit, ka thënë se prokuroritë dhe Policia në shumë raste veprojnë në kundërshtim me praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke kufizuar të drejtën e komunikimit të të pandehurit me avokatin gjatë marrjes në pyetje dhe në faza të tjera të hetimit.

“Lidhur me këtë çështje, ne kemi parë që prokuroritë dhe Policia në shumë raste veprojnë në kundërshtim me praktikat e GjEDNj-së, duke kufizuar të drejtën e komunikimit të pandehurit me avokatin gjatë marrjes në pyetje ose gjatë fazës së hetimeve”, ka thënë Qelaj.

Raporti u prezantua nga hulumtuesi i Lartë në IKD, Gzim Shala, i cili tha se kjo ka rezultuar nga monitorimi i 100 seancave gjyqësore dhe analizimi i 200 vendimeve gjyqësore. Sipas tij, gjetjet tregojnë për nivel të ulët të aplikimit të GjEDNj-së.