Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dhënë tender prej 3 milionë e 514 mijë e 280 euro e 37 centë, për t’u furnizuar me barna nga lista esenciale.
Media raporton se thirrja e tenderit ishte e ndarë në 14 pjesë, sakaq vlera e parashikuar për tender ishte mbi 5.5 milionë euro.
Tenderi i dhënë është për 10 lote, teksa furnizimi parasheh të mbulojë nevojat e të gjithë sistemit spitalor të SHSKUK-së.
Loti me vlerën më të lartë është ai i dhënë për furnizim me erythropoiesis-stimulating agents, medikamente që stimulojnë palcën e eshtrave për të prodhuar më shumë qeliza të kuqe të gjakut. Vlera e këtij loti është 1,707,744.60 euro.
Nga ana tjetër, 469,440 euro janë ndarë në lotin 2, për furnizim me coagulation factor IX, human, që do të shfrytëzohet për trajtimin e hemofilisë B dhe ndërhyrje kirurgjikale, për të parandaluar gjakderdhjen.
SHSKUK-ja ka dhënë 455 mijë e 700 euro në lotin 6 për t’u pajisur me kapsula nilotinib, që përdoret për trajtimin e leukemisë.
Loti 9, që parasheh furnizim me gemcitabine pluhur për injeksion, është dhënë në vlerë prej 335 mijë e 172 eurosh.
SHSKUK-ja po ashtu ka siguruar furnizimin me trastuzumab (Lot 4), pluhur për tretësirë për infuzion, furnizim ky që arrin vlerën prej 187,795 eurosh.
Në lotin 12 janë ndarë 121 mijë e 800 euro për furnizim me pemetrexed, medikament që kryesisht përdoret për të trajtuar kancerin e mushkërive.
Nga ana tjetër, loti i 8 për furnizim me sorafenib është dhënë në vlerë prej 109 mijë e 24 euro e 11 centë, për të siguruar trajtimin e pacientëve që lëngojnë nga kanceri i mëlçisë apo tiroides.
Është dhënë po ashtu kontrata për furnizim me imatinib, e paraparë nga loti 10, e që ka vlerë prej 60,102 eurosh. Ky medikament përdoret kryesisht për trajtim të llojeve të caktuara të kancerit të gjakut dhe tumore të rralla.
Kontrata për lotin 5 u dha në vlerë prej 39 mijë e 973 euro e 26 centë, për t’u pajisur me midazolam, medikament që shfrytëzohet për sedacion dhe hyrje në anestezi të përgjithshme.
Loti me vlerën me të ulët të dhënë është ai i 7-ti, për furnizim me sunitinib.
SHSKUK-ja ka ndarë 27 mijë e 529 euro e 40 centë për t’u furnizuar me këtë medikament, që kryesisht trajton kancerin e veshkave dhe disa tumore specifike.
Të gjitha këto lote janë nënshkruar me kompanitë që ofertuan vlerën më të ulët.
Furnizimi është paraparë të bëhet për 24 muaj.
