Lajme

Shtëpitë e gatshme prej druri “Made in Kosova” po vazhdojnë të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim Nazmi Mehmetaj, kryetar i bordit të Klasterit të Ndërtimeve të Parafabrikuara dhe pronar i Greenhouse, si dhe drejtoreshën ekzekutive Sytrime Dervisholli.

Në takim u diskutua rreth zhvillimit të sektorit të ndërtimit të parafabrikuar, i cili po shënon rritje të vazhdueshme.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se fokusi i MINTI-it është i qartë, ulja e deficitit tregtar përmes forcimit të prodhimit vendor dhe zhvillimit të industrisë. Sipas ministres, zonat ekonomike të gjelbra janë pjesë kyçe e këtij vizioni, duke kombinuar prodhimin me qëndrueshmërinë, mbrojtjen e mjedisit dhe riciklimin.

Ministrja bëri të ditur se synimi i Qeverisë dhe MINTI-it është fuqizimi i kapitalit vendor, krijimi i klasterëve të qëndrueshëm industrialë dhe ndërtimi i bashkëpunimit të fortë institucional për një të ardhme më të zhvilluar ekonomike.I gjithë prodhimi i shtëpive të gatshme prej druri eksportohen kryesisht në Evropë dhe Amerikë.

Shtëpitë e gatshme “Made in Kosova” po vazhdojnë të depërtojnë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, sfida kryesore mbetet mungesa e hapësirave për zhvillim dhe prezantim të produkteve, si demo-parqe apo zona demonstrimi, të cilat do të ndihmonin në zgjerimin edhe më të madh të këtij sektori.

Të Ngjashme