Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ka pranuar raportimet zyrtare lidhur me vdekjen e shtetasit të Kosovës, Selim Voca, i cili ka ndërruar jetë pas një aksidenti me tren në qytetin Aleksinac, në Serbi.
Voca ishte raportuar si person i zhdukur nga bashkëshortja e tij më 19 nëntor 2025, në stacionin policor në Mitrovicë. Sipas informatave zyrtare, trupi i pajetë i tij ndodhet aktualisht në Spitalin e Nishit.
MPJD ka bërë të ditur se, në koordinim me institucionet relevante të Republikës së Kosovës, është duke u angazhuar për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të trupit të të ndjerit në Kosovë.
Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e viktimës dhe me autoritetet përkatëse, me qëllim të ofrimit të asistencës së nevojshme dhe lehtësimit të procedurave të kërkuara.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka siguruar se institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e këtij rasti me seriozitet dhe urgjencë.

