Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Kosovës dhe eksperti i sigurisë, Agim Rexhepi, ka rrëfyer përvojën e tij në veriun e Kosovës, duke vlerësuar se situata e sigurisë ka pësuar ndryshime të mëdha ndër vite.
Rexhepi ka thënë se në prill të vitit 2016 ishte caktuar në Njësinë e Krimeve Ekonomike, në një periudhë që e cilësoi si ndër më delikatet për sigurinë e Kosovës.
“E kam pasur një karrierë të mbushur me sfida atje. Ishte periudha më delikate për sigurinë e vendit”, ka deklaruar Rexhepi.

Agim Rexhepi
Sipas tij, ndryshimi në veri të Kosovës është i madh krahasuar me të kaluarën.
“Ndryshimi është si nata pa hënë me një ditë pranverore të kthjellët. Derisa ka ardhur Albin Kurti në pushtet, veriu ka qenë më shumë Serbi sesa vetë territori serb. Sot gjërat kanë ndryshuar, por serbët ende kanë frikë nga strukturat që dikur i mbanin në terror”, ka thënë ai.
Rexhepi ka përmendur edhe presionin që, sipas tij, qytetarët në veri të Kosovës e kanë përjetuar nga strukturat ilegale.
“Të gjithë duhej të dilnin në rrugë kur binte sirena – përndryshe rrezikonin jetën”, është shprehur ai.
I pyetur nëse beson se Policia e Kosovës do ta kontrollojë veriun e Kosovës pa kompromis me strukturat ilegale, Rexhepi është shprehur optimist.
“Po, besoj. Policia jonë po përkujdeset për gjithë qytetarët, pa dallim. Kriminelë ka kudo, por shteti duhet të jetë më i fortë se krimi. Dhe më i drejtë”, ka theksuar ai.
Rexhepi ka thënë se do të vazhdonte të kontribuonte për sigurinë e vendit, duke e konsideruar këtë si një përgjegjësi kombëtare.
“Pa asnjë hezitim. Është borxhi im ndaj Atdheut dhe amaneti i atyre që kanë rënë për këtë tokë”, ka deklaruar ai.
Ai ka kujtuar edhe rolin e tij si instruktor në Akademinë Policore, duke bërë thirrje për profesionalizëm dhe përkushtim te pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës.
“U them të jenë profesionalë, ta duan ligjin dhe Kosovën, të jenë syçelë dhe ta ruajnë dinjitetin. Veriu nuk është për frikacakë – është për ata që shërbejnë me shpirt, jo me orar”, ka përfunduar Rexhepi.
