Pas kritikave të opozitës, Kuvendi vendosi që seanca e buxhetit të 2026-tës të shtyhet për të hënën në ora 10:00.
Grupet parlamentare opozitare në Kuvendin e Kosovës janë shprehur kundër votimit për shmangien e afateve procedurale për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, duke kërkuar të paktën tre ditë kohë shtesë për analizimin e dokumentit. Opozita ka vlerësuar se projektligji, i cili ka rreth 700 faqe, kërkon shqyrtim më të detajuar para procedimit në lexim të parë.
Sipas opozitës, nuk ka urgjencë funksionale për miratimin e përshpejtuar të projektligjit, pasi Kuvendi tashmë ka miratuar vazhdimin e ndarjeve buxhetore për funksionimin e shtetit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, tha se opozita ka treguar vullnet për të mos bllokuar shtetin duke mbështetur vazhdimin e ndarjeve buxhetore për muajin mars, por nuk e mbështet shmangien e procedurave dhe kërkon të paktën tre ditë kohë për analizimin e projektligjit nga deputetët e pozitës dhe opozitës.
