1
Janë zbuluar emrat e katër anëtarëve të familjes shqiptare në Itali, që u shuan si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës.
Mediat italiane bëjnë me dije se kanë humbur jetën babai Arti Kola, 48 vjeç, nëna Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, djali Hadjar Kola, 22 vjeç, dhe vajza Xhesika Kola, 15 vjeçe, raporton A2CNN.
Një person i pestë u shpëtua, por ndodhet në gjendje kritike për jetën. Bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit të ndjerë, i cili mbërriti në vendngjarje pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave.
Të dëmtuar kanë mbetur edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të ofruar ndihmën e parë. Fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Moneytizer Paragrafi 4
Tragjedia është regjistruar rreth orëve të mbrëmjes së të mërkurës, kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë dhe u përballën me skenën dramatike, ku gjetën tryezën e shtruar dhe katër trupa të pajetë përtokë.
Në vendngjarje ka qenë i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, i cili u shpreh i tronditur për tragjedinë, që ka prekur të gjithë komunitetin e qytezës së vogël, që ndodhet vetëm pak kilometra larg Luccës.
Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, ku po analizohen disa të dhëna specifike. Ata po përpiqen të kuptojnë nëse kaldaja ishte e regjistruar, apo e instaluar konform rregullave dhe nëse u është nënshtruar inspektimeve.
Shtëpia ku ndodhi tragjedia ishte në pronësi të të ndjerit Arti Kola, i cili sipas dëshmitarëve, e bleu atë rreth tre vjet më parë, por familja ishte zhvendosur vetëm kohët e fundit. /A2