Lajme

​Si e kujton presidenten Vjosa Osmani mësimdhënësi i saj në shkollë fillore?

Ish-mësimdhënësi i presidentes së Kosovës, Mehmet Kajtazi, ka folur për Kosovapress rreth kujtimeve të tij nga koha kur Vjosa Osmani ishte nxënëse, duke e përshkruar atë si një fëmijë shembullor, të drejtë dhe shumë të përkushtuar ndaj mësimit.

Ai thotë se Osmani ka qenë gjithmonë e dalluar për sjelljen dhe karakterin e saj.

Kajtazi: Vjosa ka qenë gjithmonë një fëmijë shumë i mirë, shumë i sjellshëm, një fëmijë shembullor

“Po të flas për presidenten Vjosa Osmani duhet ndoshta shumë kohë, sepse unë i kam dhënë mësim që nga klasa e pestë, jam profesor i gjeografisë. Vjosa ka qenë gjithmonë një fëmijë shumë i mirë, shumë i sjellshëm, një fëmijë shembullor. Jo vetëm Vjosa, por ajo i ka edhe tri motra të tjera dhe vëllanë; të gjithë këta familjarisht kanë qenë të sjellshëm. Meqenëse këtu në shkollën tonë ka pasur edhe fëmijë të tjerë shumë të mirë, të cilët sot kanë korrur suksese në forma dhe drejtime të ndryshme, Vjosa ka qenë njëra ndër ta. Mirëpo, Vjosa për nga karakteri ka veçuar; nuk i ka dashur padrejtësitë si fëmijë. E kam një shembull: në atë klasë e kam pasur edhe vajzën e vëllait tim. Nxënësit mendonin që po e favorizoja, por nuk e kam favorizuar as atë, as fëmijët e mi që i kam pasur këtu. Ajo gjithmonë ka reaguar, sepse njëfarë forme atëherë bëhej – nuk e quanim bullizim – njëfarë bullizimi ndaj saj, dhe kjo gjithmonë e ka mbrojtur. Jo që isha unë në pyetje, por mendoj që Vjosa është shumë e drejtë; si fëmijë ka qenë e tillë. Unë po flas vetëm në aspektin si nxënëse. Ka qenë edhe luftarake për të drejtat e veta; për atë që e ka synuar të arrijë, gjithmonë ka punuar dhe ka luftuar për ta arritur. Këtë e tregon edhe pasqyrimi i notave që i ka marrë”-tha ai

Kajtazi thekson se Osmani ka spikatur sidomos në lëndët shoqërore për shkak të aftësive të saj në komunikim.

Kajtazi: Më e shkathët ka qenë në lëndët shoqërore, sepse ka pasur një oratori shumë të theksuar, të mirë dhe të pasur

“Mendoj që më e shkathët ka qenë në lëndët shoqërore, sepse ka pasur një oratori shumë të theksuar, të mirë dhe të pasur, por edhe në lëndë të tjera si matematika, biologjia e fizika. Gjeografinë e ka dashur, sepse gjeografia është një lëndë që atëherë fillonte prej klasës së pestë, ndërsa tash prej klasës së gjashtë. Është tërheqëse për nxënësit, mirëpo tash ka mundësi më të mira për ta mësuar gjeografinë dhe lëndët e tjera. Por Vjosa Osmani ka qenë e tillë gjithmonë”-deklaroi ai

Sipas tij, niveli i klasës ku bënte pjesë Osmani ka qenë i lartë, çka ka kërkuar përgatitje të vazhdueshme edhe nga ana e mësimdhënësve.

Kajtazi: Ka mësuar shumë dhe, me plot përgjegjësi e them, është dashur të jesh mjaft i përgatitur për të punuar me ta si klasë

“Ka mësuar shumë dhe, me plot përgjegjësi e them, është dashur të jesh mjaft i përgatitur për të punuar me ta si klasë. Paraprakisht kishin pasur një mësuese që kishte nxjerrë gjenerata të mira. Sa herë që kemi marrë pjesë në gara, Vjosa Osmani ka qenë ndër nxënëset që e kemi përzgjedhur, jo vetëm në gjeografi, por edhe në lëndë të tjera, ku ka arritur rezultate të larta. Madje, nga ajo kohë kemi edhe disa incizime të garave, dhe ajo ka qenë vazhdimisht e suksesshme”- tha ai

Ai kujton edhe sukseset jashtë orëve mësimore, përfshirë një dramë që kishte fituar vendin e parë në nivel të Kosovës.

Kajtazi: Në krye me Vjosa Osmani, e kanë organizuar një dramë, e ka zënë vendin e parë në nivel të Kosovës

“Mendoj që, me atë se çka ka punuar si nxënëse, organizimet që i ka bërë në shkollë, me garat që i kemi mbajtur në lëmi të ndryshme, jo vetëm në gjeografi, pastaj pikërisht klasa e saj, në krye me Vjosa Osmani, e kanë organizuar një dramë – po e harroj emrin, ‘Martesa e…’ – e cila ka zënë vendin e parë në nivel të Kosovës. Kjo ka ndodhur në vitin 1996, kur ajo ka qenë në klasën e tetë. Me këtë dramë, atëherë kur ishim nën okupim, ata kanë shkuar dhe e kanë prezantuar në Ulqin, domethënë në nivel të Kosovës e kanë zënë vendin e parë. Ka qenë edhe në aktivitete të lira shumë efikase dhe e angazhuar, dhe ka korrur suksese, veçohet me ato. Pastaj, edhe në lëndë të tjera nuk di cilën të veçoj më shumë, pasi që të gjithë arsimtarët kemi mbajtur gara. Bile, po e them me plot përgjegjësi, shumë më mirë kemi mbajtur gara atëherë se tash, por ajo ka qenë prezente aty ku ka korrur suksese. Madje, nga ajo kohë kemi edhe disa incizime të garave, dhe ajo ka qenë vazhdimisht e suksesshme”- shtoi ai

Sa i përket zhvillimeve politike, Kajtazi thotë se nuk merret shumë me politikë, por vlerëson paraqitjen ndërkombëtare të presidentes.

Kajtazi: Mendoj që në arenën ndërkombëtare na ka prezantuar shumë mirë

“Nuk po di, unë me politikë fort nuk merrem, por mendoj që në arenën ndërkombëtare na ka prezantuar shumë mirë, e këto përplasjet në politikë të brendshme nuk më pëlqejnë përgjithësisht, veçanërisht bullizimi që iu bëhet familjarëve të tyre. P.sh., e bullizojnë prindin e Vjosës, jo gjoja ka qenë polic, kurse unë e kam mirënjohjen që ia ka bërë shkolla për kontributin që e ka dhënë në vitet e ’90-ta. Raif Osmani ka qenë njëri ndër kontribuuesit bashkë me dhjetë të tjerë që kanë marrë mirënjohje tash për pavarësi, që na kanë ndihmuar me mbajtur mësimin gjallë në shkollën “Ismail Qemali”, atëherë është thirrur “Vëllezërit Mihaloviq”, me iniciativë të tyre ne e kemi ndërruar edhe emrin. Edhe atëherë kemi qenë diku rreth 900 nxënës, na kanë larguar prej objektit, 56 kanë qenë serbë dhe ata e uzurpuan objektin. Me iniciativën e këshillit të prindërve të atëhershëm ne jemi kthyer prapë, në mesin e tyre ka qenë edhe prindi i saj. Të gjithë fëmijët që i ka pasur, Elonën, Vjosën e dytë, Flakrinën, Blinerën dhe Ramadanin, kanë qenë të mirë, kjo shkollë ka dhënë gjithmonë profesorë, doktorë, kanë dalë prej kësaj shkolle, në mesin e tyre edhe Vjosa. Vjosën nuk po mund ta vlerësoj politikisht, se nuk merrem shumë me politikë, mirëpo prezantimin në arenën ndërkombëtare, veçanërisht miqësinë me Amerikën, mendoj që e ka bërë më mirë, edhe prezantimin në Kombet e Bashkuara”- ka thënë ai

Ai shprehet krenar për arritjet e ish-nxënëses së tij.

Kajtazi: Ndihem krenar, sepse e tillë ka qenë Vjosa si fëmijë, ka arritur që atëherë

“Është një krenari e veçantë, po të them drejt, Vjosën, i kemi edhe disa të tjerë, por sigurisht që ndihem krenar, sepse e tillë ka qenë Vjosa si fëmijë, ka arritur që atëherë, prindin e ka pasur pa punë, e kanë larguar prej pune, bile ka qenë edhe i burgosur në vitet ’90, ’92 dhe ’93, edhe ka mbijetuar me i shkolluar fëmijët, edhe kjo ka arritur pastaj, e njeh gjuhën angleze shumë mirë, si fëmijë atëherë e ka mësuar edhe ka arritur. Tash duhet të jemi mirënjohës dhe të mburremi me punën e saj tash që e reflekton”- theksoi ai

Ish-mësimdhënësi i Vjosa Osmani ka përfunduar duke thënë se beson se ajo e meriton një mandat tjetër si presidente.

Kajtazi: Mendoj që Vjosa Osmani e meriton edhe një mandat me qenë presidente

“Në bazë të kësaj të cilën e ka prezantuar, mendoj që e meriton. Edhe kjo që po ndodh tash, mendoj që është një gabim që nuk e kanë zgjedhur prapë. Këto dekretet e këto që ka bërë, nuk e di qysh vijnë në fund, por nuk është dashur me ndodh këto sene, ndoshta hiq jo për hatër të Vjosës, ose të Albinit, ose të Bedriut atij apo atij, por për hatër të popullit. Jemi lodh me këto sene, për bes, jemi lodh, bash kur e mori një hov pozitiv, Kosovë me shku po kthehen këta mbrapa. Nuk e di, por mendoj që Vjosa Osmani e meriton edhe një mandat me qenë presidente”- përfundoi ai.

Ish-mësimdhënësi i saj, Mehmet Kajtazi, e përshkruan Osmani si një fëmijë shembullor, të drejtë dhe të përkushtuar, që gjithmonë ka spikatur si në lëndët akademike, ashtu edhe në aktivitete jashtëshkollore. Ai thekson se përkushtimi dhe drejtësia e saj e bëjnë të merituar një mandat tjetër presidencial, duke vënë në pah gjithashtu ndikimin e saj pozitiv në shoqëri dhe prezantimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Të Ngjashme