Media ka siguruar kërkesën për paraburgim ndaj Gramos Krasniqit, i njohur me nofkën “Mossi”, Bajram Hajdarit dhe Auron Duplakut, lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Burim Pacolli.
Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi” më 2 mars 2026, rreth orës 15:10, në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë, në afërsi të rrethrrotullimit të “Interexit”, derisa i dëmtuari Burim Pacolli, gazetar në mediumin “Nacionale”, ishte duke tërhequr para nga bankomati, i janë afruar të dyshuarit.
Sipas përshkrimit në kërkesë, ata e kanë sulmuar fizikisht Pacollin, duke e goditur me duar në kokë dhe me shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore.
Për këto veprime, të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Më tej, gjithnjë sipas kërkesës, thuhet se më 3 mars Gramos Krasniqi, përmes Instagramit, i ka dërguar mesazhe kërcënuese Pacollit duke i thënë:
“Apet ka me ti qi krejt qka i ki maje nmen mos mëno qe e kryn me mu najher se normal une ta qeli mishin o robqir nuk rrehna me grushta une po mire pshtove ha k.. prap ti mos u nal prap tvjen dita po mos ma zgat dorën ti robqir ki me pa shpejt kush osht qka osht” Si dhe në mesazhin tjetër: “7 minuta i ki me fshi postimin edhe mos mem përmend ma kurr se sa t’osht jeta gat m’ki borgj maje nmen”.
Për këto veprime, Krasniqi dyshohet edhe për veprën penale “Kanosje”.
Ndërkaq, për të dyshuarin tjetër, Bajram Hajdari, thuhet se më 4 mars, gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës, ka hedhur jashtë nga makina dy pako cigare, brenda të cilave ndodhej substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë rreth 106 gramë.
Për këtë arsye, Hajdari dyshohet edhe për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.,
