I ftuar në emisionin “Mes Drite” në Vizion Plus, prestigjiatori Edmond Muraj prezantoi disa rituale që, sipas tij, mund të ndihmojnë në rikthimin e një lidhjeje të humbur, por edhe në përmirësimin e energjisë dhe fatit në jetën e përditshme.
Gjatë bisedës në studio, ai u shpreh se gjithçka lidhet me besimin: “Mundësia është shumë e madhe për njerëzit që besojnë. Këto metoda janë për mbështetje emocionale dhe shpirtërore, për mbarësi dhe fat, dhe nuk kanë efekte të tjera si magjia e zezë”.
Një nga ritualet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ai për rikthimin e partnerit.
“Kur partneri është larguar përkohësisht, marrim një vazo të vogël dhe hedhim brenda dy lugë të vogla kafeje. Marrim një hudhër, e çajmë në mes dhe vendosim një letër ku kemi shkruar emrat e çiftit. Shtojmë mjaltë për të ‘ëmbëlsuar’ marrëdhënien dhe e mbajmë për tri ditë poshtë krevatit”, shpjegoi Muraj, duke shtuar se më pas materiali hidhet.
Ai prezantoi edhe një ritual për mbarësi në shtëpi apo biznes: “Hedhim dy lugë oriz në një vazo, shtojmë dy shkopinj kanelle dhe dy fletë dafine. Kjo shërben për mbarësi dhe mbron nga njerëzit negativë”. Sipas tij, kjo mund të vendoset në një ambient të dukshëm ose të fshehur lehtë.
Muraj ndau gjithashtu këshilla për pastrimin e energjisë në shtëpi, duke theksuar rëndësinë e ambientit personal. “Asnjëherë mos lejoni njerëz të huaj të hyjnë në dhomën tuaj të gjumit, sepse kjo prish atmosferën dhe shkakton gjumë të trazuar. Për pastrim, përdorni rozmarinë dhe dafinë në ujë me kripë dhe pastroni mobiliet me to”, tha ai.
Në fund, prestigjiatori theksoi se këto praktika nuk janë për të gjithë: “Ne punojmë për njerëzit që besojnë; ata që nuk besojnë i respektojmë, por kjo nuk është për ta”.
