Mjeku i njohur shqiptar Petrit Vargu rekomandon konsumimin e çajit të malit gjatë periudhës së gripit, si një mënyrë natyrale për të përmirësuar shëndetin. Në një intervistë për “Dita jonë” në A2 CNN, ai theksoi se përdorimi i antibiotikëve pa këshillën e mjekut është i gabuar.
“Gripi nuk trajtohet me antibiotikë. Ato përdoren vetëm në rast komplikacionesh bakteriale dhe gjithmonë me vlerësim mjekësor. Antiviralët janë efektivë vetëm në dy ditët e para, pasi ulin ngarkesën virale,” shpjegoi Vargu.
Ai shtoi se çaji i malit dhe sherebela janë antiinflamatorë të fuqishëm. Çaji duhet pirë në temperaturë ambienti dhe jo shumë i nxehtë, me një sasi ideale prej 2–2.5 litrash në ditë, nëse nuk ka kundërindikacione shëndetësore.
Vargu theksoi se gripi aktual në Shqipëri është sezonal dhe më agresiv këtë vit. “Shpesh e quajmë gabimisht ‘virozë’, por simptomat e gripit janë më të rënda: bllokim i rrugëve të frymëmarrjes, dhimbje koke dhe muskujsh intensive, temperaturë deri në 40–41 gradë. Simptomat arrijnë kulmin zakonisht ditën e tretë dhe cikli zgjat rreth pesë ditë.”
Mjeku shpjegoi gjithashtu se gripi është rikthyer më i fortë pas periudhës së izolimit nga Covid-19, pasi ekspozimi i trupit ndaj viruseve u ul dhe kulturë e vaksinimit mungon. Ai rekomandon vaksinimin në tetor–nëntor për të krijuar antitrupa specifikë ndaj variantit të pritshëm.
