Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Siguria rrugore çalon në Kosovë

 
   

Një person mbeti i vdekur sot nga një vetaksident në autostradën “Ibrahim Rugova” konfirmon Policia e Kosovës. Ndërkaq, edhe një polic i rajonit të Pejës vdiq në Qendrën Klinike Universitarë të Kosovës, derisa ishte duke u trajtuar si pasojë e një aksidenti një javë më parë në të cilin kishte mbetur i vdekur edhe djali i tij.

Sipas Policisë së Kosovës nga janari e deri në maj të këtij viti në total janë mbi 8 mijë e 700 aksidente, shifër kjo që shënon rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në autostradën Ibrahim Rugova është shkaktuar një vetaksident trafiku ku si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e një kamionete ka humbur jetën drejtuesi i saj mashkull kosovar. Lëndime trupore ka pësuar edhe pasagjeri i cili është dërguar në trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion. Nga muaji janar e deri në maj kanë ndodhur 28 aksidente me fatalitet, prej tyre 32 persona të vdekur”

Përgjegjësia për sigurinë rrugore sipas njohësit të komunikacionit, Nol Dedaj, është gjithmonë institucionale. Mirëpo, sipas tij, Kosova ka çaluar në këtë aspekt, nisur edhe nga edukimi për patentë shofer.

“…siguria në trafik është gjithë institucionale. Komplet kemi dështu në të gjitha qeveritë. Askush deri më sot nuk është marrë më sigurinë rrugore. Nuk kemi infrastrukturë ligjore për komunikacionin rrugorë. Kemi çalu edhe te edukimi për patent shofer…”, tha Dedaj për rtv21

Njohësi i sigurisë Bedri Elezi, vlerëson se siguria në trafik është një problem serioz në Kosovë. Elezi thotë se përpos përgjegjësisë së faktorit njeri, institucionet duhet të marrin masa parandaluese.

“…siguria në trafik është problem serioz. Njëri nga problemet që është shkaktari kryesor është tejkalimi i shpejtësisë. Duhet marrë veprimet e nevojshme për të garantuar siguri…”, tha Elezi

Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 21.838 aksidente, përfshirë 88 me fatalitet dhe 96 viktima. Policia e Kosovës apelon të gjithë shoferët që të jenë më të kujdesshëm gjatë vozitjes, të respektojnë shenjat rrugore, kushtet e rrugës dhe dispozitat tjera ligjore që rrjedhin nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve, që shpesh janë duke rezultuar me pasoja fatale.