Vjosa Osmani nga 4 prilli nuk është më presidente e Republikës së Kosovës, duke përfunduar zyrtarisht mandatin e saj në krye të shtetit.
Osmani e kishte marrë detyrën e presidentes pas zgjedhjes në Kuvend, ndërsa gjatë mandatit të saj u angazhua në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në forcimin e institucioneve demokratike.
Por, ajo çfarë ra në sy ishte largimi i Osmanit nga Presidenca me veturën e ish-presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
A mund të nënkuptojë kjo se Osmani mund të rikthehet në LDK?
Krasniqi: Simbolikë apo sinjal politik?
Profesori Kolë Krasniqi në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se largimi i Vjosa Osmanit me një veturë që lidhet me Ibrahim Rugova ka më shumë domethënie simbolike sesa politike.
Sipas tij, kjo lidhet me vazhdimësinë institucionale dhe trashëgiminë shtetformuese, jo domosdoshmërisht me një rikthim të saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Largimi i Vjosa Osmani nga Presidenca me një veturë që lidhet me figurën e Presidentit historik, Ibrahim Rugova ka nxitur interpretime dhe pyetje të shumta në opinionin publik: a kemi të bëjmë me një afrim të mundshëm të znj. Osmani me Lidhja Demokratike e Kosovës, apo thjesht me një akt të menduar mirë simbolik?
Në aspektin profesional, ky veprim duhet parë – para së gjithash në dimensionin e vet simbolik. Presidenti Rugova nuk ishte vetëm një lider partiak, por një figurë themeluese e shtetësisë së Kosovës, një referencë politike dhe historike që tejkalon kufijtë e një subjekti politik. Në këtë kuptim, përdorimi i kësaj simbolike është një mënyrë për të riafirmuar vazhdimësinë institucionale dhe orientimin perëndimor të shtetit.
Sigurisht, nuk mund të injorohet fakti se Osmani ka një të kaluar politike në LDK dhe se kohët e fundit janë vërejtur afrime të caktuara me figura të këtij subjekti. Megjithatë, këto elemente nuk mjaftojnë për të konkluduar për një ripozicionim të qartë politik apo për një rikthim të saj të shpejtë në këtë parti”, tha ai.

Kolë Krasniqi
Profesori Krasniqi, thekson se, simbolika e Ibrahim Rugovës përdoret si kapital moral dhe shtetëror, jo domosdoshmërisht partiak. Sipas tij, veprimi i Vjosa Osmani është një mesazh simbolik për rikthim te vlerat themelore të shtetit.
“Në realitetin politik të Kosovës, simbolika rugoviane shpesh përdoret si kapital moral dhe institucional, e jo vetëm si deklarim partiak. Prandaj, interpretimi më i qëndrueshëm është se kemi të bëjmë me një përdorim të kujdesshëm të kësaj simbolike – konkretisht të veturës së Presidentit Rugova – për të forcuar profilin e saj politik në përfundim të mandatit.
Në përfundim, më shumë se një mesazh partiak, ky veprim duket si një mesazh për shtetin dhe qytetarët: një rikthim te vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Kosova” – deklaron ai për “Bota sot”.
Derisa ajo që vlen të përmendet është se, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentes së Republika e Kosovës do të jetë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Sipas rregullimit kushtetues, në mungesë të presidentit, detyrën e ushtron kryetari i Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Në këtë periudhë, Haxhiu do të ketë përgjegjësitë e përfaqësimit të shtetit dhe garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve.
Ndërkohë, pritet që Kuvendi i Kosovës të nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri në përputhje me afatet ligjore.
Jakupi: Veprim me dy kuptime
Kurse, analisti politik, Zejnullah Jakupi vlerëson se, përdorimi i veturës së Ibrahim Rugovës nga Vjosa Osmani mund të jetë ose sinjal afrimi me Lidhja Demokratike e Kosovës, ose thjesht simbol i vazhdimësisë institucionale pa mesazh partiak.
“Ky është një moment ku interpretimi politik mund të jetë subtil dhe i shumëanshëm.
Vetura e ish-presidentit Ibrahim Rugova lidhet historikisht me LDK-në. Një përdorim i saj mund të interpretohet si një shenjë respekti ose afrimi me trashëgiminë e LDK-së.
Nëse Osmani ka pasur më parë raporte tensionuese me LDK-në, kjo mund të shihet si një lëvizje strategjike për të zbutur tensionet ose për të krijuar hapësira bashkëpunimi. Nëse ajo është parë shpesh me figura të ish-LDK-së, përdorimi i kësaj veture mund të konsolidojë perceptimin e saj si një figurë e gatshme për dialog ose afrime politike.
Vetura e Rugovës mund të shihet thjesht si një simbol i presidencës dhe stabilitetit të institucionit, jo si një sinjal politik.
Shpesh, ish-udhëheqësit dhe objekte të lidhura me ta përdoren për ceremoniale për të treguar kontinuitet institucional.
Në këtë rast, nuk ka domosdoshmërisht ndonjë mesazh partiak të fshehur, thjesht një kujdes për simbolikën dhe respektin ndaj trashëgimisë presidenciale”, tha ai.

Zejnullah Jakupi
Megjithatë, ai thekson se veprimi i Vjosa Osmanit me veturën e Ibrahim Rugova ka “mesazh të dyfishtë”: respekt institucional dhe një sinjal të kujdesshëm afrimi, edhe personal, ndaj trashëgimisë rugoviane dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Pa deklarata të qarta nga vetë Osmani ose nga LDK-ja, interpretimi mbetet i hapur. Megjithatë, duke marrë parasysh: është një veprim me dy kuptime: njëherazi një respekt institucional dhe një sinjal i mundshëm i kujdesshëm ndaj ish-bashkëpartiakëve të LDK-së, pa qenë domosdoshmërisht një afrim i drejtpërdrejtë politik.
Në politikë, simbolika e tillë shpesh ka “mesazhe të dyfishta” — një për publikun e gjerë dhe një për aktorët politikë të brendshëm.
Pra, përdorimi i veturës së ish-presidentit Ibrahim Rugova nga Vjosa Osmani duket kryesisht si një simbolikë institucionale, por me një nuancë personale-politike. Lidhjet e saj të afërta me Uke Rugova sugjerojnë se ka edhe një dimension personal/afërmimi ndaj trashëgimisë Rugova dhe, për rrjedhojë, ndaj LDK-së, pa qenë një deklaratë politike e drejtpërdrejtë.
Pra, mesazhi është dyfishtë: respekt institucional + afrimitet personal-politik” – nënvizoi Jakupi.
Ndër të tjera, analistoi potencoi se veprimi i Vjosa Osmani ka dy dimensione: simbolik (respekt për Ibrahim Rugovën) dhe strategjik (afrim i mundshëm me Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ndikim te GUXO për zgjedhjet e ardhshme).
“Vjosa Osmani historikisht nuk ka qenë mbështetëse e majtizmit të thellë; ajo ka tendenca më qendrore/demokristiane, që e bën më të afërt ideologjikisht me LDK-në sesa me subjekte të majta.
Fraksioni i GUXO, që ka mbështetur Osmanin në presidencë dhe në politikën qendrore, mund të influencohet nga veprimet e saj. Një afrim simbolik me LDK-në mund të përdoret për të rikthyer ose mbajtur një pjesë të mbështetjes së GUXO-s, veçanërisht nëse zgjedhjet e ardhshme bëhen një sfidë për dominim parlamentar.
Nëse nuk zgjidhet presidenti dhe Kuvendi shkon në zgjedhje të parakohshme, një aleancë apo afrim me LDK-nëmund ta forcojë pozitën e Osmanit dhe të LDK-së në zgjedhje. Dhe kjo mund të krijojë situatën ku LDK dalë forcë e dytë në vend, duke reduktuar fragmentimin e votave dhe duke i dhënë më shumë peshë koalicionit që ajo do të krijojë.
Pra, lëvizja e z. Osmanit për të përdorur simbolikën e Rugovës mund të ketë dy dimensione:
Institucional/simbolik – respekt për trashëgiminë presidenciale dhe vazhdimësinë institucionale.
Strategjik/politik – mundësi për të rritur afërsinë me LDK-në dhe për të tërhequr fraksionin GUXO, sidomos në rast të zgjedhjeve të ardhshme” – përfundon ai për “Bota sot”.
