
Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq i cili akuzohen për nxitjen e protestuesve për të sulmuar gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023, nuk është deklaruar nëse do të jap dorëheqje nga pozita e deputetit në rast se shpallet fajtor në rast.
I pyetur nga KosovaPress për këtë çështje, Simiq tha se do të ketë rast të japë deklarata tjera.
“Faleminderit shumë, kaq për deklaratë. Kam dhënë një deklaratë, do të ketë rast edhe të jap deklarata të tjera”, tha ai.
Sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ishte planifikuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviq, të cilët akuzohen për nxitjen e protestuesve për të sulmuar gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023, por ajo u shty në mungesë të shkresave të lëndës për të akuzuarin Slavko Simiq dhe mbrojtësin e tij.
Simiq deklaroi se nuk ka pasur asnjë lidhje me atë rast dhe se e ndjen vetëm “absolutisht të pafajshëm”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, më 16 qershor 2023, gjatë protestës kundër vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Simiq i ka dhënë urdhër turmës që të sulmonte mediat dhe më pas ekipet e mediave janë sulmuar me shok-bomba, grushte, shqelma e mjete të forta.
Ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Krahas tij, të akuzuarin Vukasinoviq, Prokuroria e ngarkon edhe me akuzën për sulm.