Lajme

Sindikata e Policisë kërkon rikthimin e 6 zyrtarëve të suspenduar në Gjakovë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë ne Gjakovë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke e konsideruar këtë veprim si të ngutshëm dhe jo adekuat për rrethanat e rastit.

Sindikata thekson se suspendime të tilla dëmtojnë rëndë institucionin e Policisë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, duke krijuar mungesë të fuqisë punëtore në stacionet policore, si dhe në cenimin e autoritetit dhe besueshmërisë së organit të sigurisë.

“Pa dashur të ndërhyjë në kompetencat dhe pavarësinë institucionale të Inspektoratit Policor të Kosovës, Sindikata, duke u bazuar në audio incizimin e publikuar në media dhe pas analizimit të plotë të ngjarjes, ka vlerësuar se zyrtarët policorë të suspenduar kanë kryer detyrën e tyre me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.

Tutje në njoftimin e Sindikatës, thuhet se sipas të dhënave të bëra publike, zyrtarët policorë janë kërcënuar me jetë në vendin e tyre të punës, përkatësisht në stacionin policor, në prani të dëshmitarëve – zyrtarë policorë. Në audio incizim dëgjohet i dyshuari duke përcaktuar edhe kohën e mundshme të sulmit ndaj zyrtarëve policorë

“Për këtë arsye, me të drejtë ai është trajtuar si i dyshuar për veprat penale të kërcënimit dhe pengimit të personit zyrtar në kryerje të detyrës, dhe me urdhër të prokurorit është caktuar masa e paraburgimit. Po ashtu, ekziston dyshimi se audio incizimi i publikuar është i shkëputur në pjesë dhe jo i plotë, i shkëputur nga i dyshimti. Ku Sipas legjislacionit në fuqi, asnjë audio incizim i paautorizuar dhe i pa urdhëruar nga organet kompetente nuk mund të konsiderohet provë ligjore ne asnjë rast e as ne raste konkret”.

Andaj, Sindikata e Policisë së Kosovës i ka bërë thirrje Inspektoratit Policor që të rishqyrtojë vendimin dhe të mundësojë kthimin e menjëhershëm në detyrë të zyrtarëve policorë, pasi konsideron se ata në këtë rast kanë qenë viktima të kërcënimit me jetë nga i dyshuari dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Të Ngjashme