Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Aktuale

Sindikata e Policisë: Lajmërimet e rreme duhet të ndëshkohen

 
   

Sindikata e Policisë së Kosovës ka vlerësuar punën profesionale të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) lidhur me një rast të fundit, ku një qytetar kishte paraqitur një lajmërim të rremë, duke pretenduar se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në afërsi të Urës së Bistricës në Leposaviq, më 13 janar 2026.

Sipas Sindikatës, pas pranimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe zhvillimit të hetimeve përkatëse, IPK ka konstatuar se pretendimet e ankuesit nuk kishin bazë faktike dhe ligjore. Si rezultat i hetimeve, është vërtetuar se qytetari kishte dezinformuar dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal për lajmërim të rremë.

Sindikata e Policisë së Kosovës shprehet e bindur se, nëse IPK vazhdon punën në mënyrë profesionale dhe ndaj çdo lajmërimi të rremë ngrihet kallëzim penal kundër personave përgjegjës, në të ardhmen do të ketë më pak raste të tilla.

Po ashtu, sipas Sindikatës, punonjësit e Policisë së Kosovës nuk do të ndihen të pambrojtur dhe do të kenë më shumë besim në punën e IPK-së.

Në fund, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Kosovës vlerëson se kjo qasje e IPK-së është e domosdoshme si mburojë për çdo zyrtar policor dhe kontribuon në rritjen e besimit në institucionet mbikëqyrëse.