Gjatë javës që po e lëmë pas, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Bordin e Paqes me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Gjatë fjalimit, presidenti Trump i ka thënë presidentes Osmani se, nëse nuk ecën gjithçka mirë me Serbinë, mund ta kontaktojë direkt.
“Marr si shembull konfliktin Kosovë–Serbi. Unë e bëra këtë! Mund të çohesh pak, të lutem, vetëm një sekondë. Çfarë pune keni bërë! Faleminderit shumë, e vlerësoj. Shumë mirë! Dhe nëse gjithçka shkon mirë, vazhdo kështu, dhe kur të mos shkojë më mirë, më telefono dhe ne do ta zgjidhim. Shumë faleminderit!”, tha Trump.
Ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota Sot”, e ka komentuar këtë deklaratë të presidentit Trump.
Ai theksoi se takimi i presidentes Osmani në SHBA dhe vlerësimi i Donald Trump për rolin e saj në dialogun me Serbinë përbën një moment të rëndësishëm diplomatik.

Ish-hetuesi Agim Rexhepi
“Takimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në SHBA dhe vlerësimi publik nga Donald Trump për rolin e saj në dialogun me Serbinë, përbën një moment të rëndësishëm diplomatik për shtetin tonë.
Fakti që Presidentja Osmani vlerësohet për udhëheqjen e saj dhe merr ofertë për mbështetje të drejtpërdrejtë, dëshmon qartë se Kosova sot përfaqësohet me dinjitet, seriozitet dhe vizion të qartë perëndimor. Kjo nuk është vetëm një deklaratë protokollare, por një sinjal politik i fuqishëm se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet i palëkundur.
Presidentja Osmani ka dëshmuar se dialogu zhvillohet mbi parime të qarta: sovranitet, integritet territorial dhe barazi mes palëve. Mbështetja amerikane ndaj saj është një konfirmim se Kosova ka zgjedhur rrugën e drejtë – atë të koordinimit të plotë me aleatin tonë kryesor strategjik”, është shprehur ai.
Po ashtu, Rexhepi theksoi se mesazhi për Serbinë është i qartë se Kosova nuk është e vetme, dhe çdo proces duhet të bazohet në respekt reciprok dhe njohjen e pakthyeshme të pavarësisë së saj.
“Mesazhi për Serbinë është i qartë: Kosova nuk është e vetme. Çdo proces duhet të bazohet në respekt reciprok dhe në realitetin e pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës.
Ky zhvillim forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe konsolidon rolin e Presidentes Osmani si një zë i fuqishëm, i besueshëm dhe i respektuar në arenën ndërkombëtare.
Republika e Kosovës sot flet me një zë të qartë – dhe ai zë dëgjohet në Uashington”, ka përfunduar Rexhepi.
