Komisioni për Buxhet ka miratuar fushëveprimin e tij me nëntë vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Megjithatë, anëtarët e komisionit nuk e mbështetën edhe propozimin e LDK-së, i cili do t’i obligonte ministrat të raportojnë drejtpërdrejt para këtij trupi parlamentar.
Gjatë mbledhjes, kryetari i Komisionit, Enver Haliti, paraqiti në detaje fushëveprimtarinë, duke theksuar se bëhet fjalë për një komision funksional dhe të përhershëm, i cili trajton të gjitha çështjet që ndërlidhen me buxhetin dhe financat publike.
Haliti: Komisioni është komision funksional dhe i përhershëm
“Komisioni është komision funksional dhe i përhershëm. Komisioni në kuadër të fushëveprimit dhe të përgjegjësive shqyrton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me buxhetin dhe financat. Fushëveprimi i komisionit përfshin, shqyrtimin e projektligjit vjetor për ndarjet buxhetore dhe rishikimin e tij. Shqyrtimin e projektligjeve në fushën e financave publike dhe financave në përgjithësi. Shqyrtimin e projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Kosovës dhe bën rekomandime për Kuvendin e Republikës. Shqyrtimin e projektligjeve dhe amendamenteve të propozuara në aspektin e ndikimit buxhetor të tyre në kuadër të përgjegjësive si komision i përhershëm dhe rekomandimin në komisionin përkatës funksional dhe në Kuvend. Të drejtën për të propozuar dhe hartuar projektligje. Shqyrtimin e raportit vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës. Shqyrtimin e raporteve vjetore të institucioneve, organeve të pavarura që raportojnë në Kuvend dhe që bien në fushëveprimtarinë e komisionit. Mbikëqyrjen e zbatimit të politikave publike dhe legjislacionit në fushën e menaxhimit të financave publike, të standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar, të borxhit publik, prokurimit publik, politikave makroekonomike fiskale si dhe ndihmës shtetëror. Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve në kuadër të fushëveprimtarisë së tij. Organizimin e dëgjimeve publike. Raportim me iniciativën e komisionit ose me kërkesën e Kuvendit në mbledhje plenare për çështje nga fusha e veprimtarisë së tij, shqyrtimin e çështjeve të tjera të përcaktuara me këtë rregullore”, ka theksuar Haliti.
Deputeti Besian Mustafa kërkoi që në fushëveprim të përfshihet edhe shqyrtimi i raporteve vjetore financiare të ministrive, duke argumentuar se aktualisht përmenden vetëm institucionet dhe organet e pavarura.
Mustafa: Mungojnë shqyrtimi i raporteve vjetore financiare të ministrive
“Mungojnë shqyrtimi i raporteve vjetore financiare të ministrive që secila prej tyre ka obligim ligjor që të raportoj këto raporte në Ministrinë e Financave. Paraqit këtu obligimin që vet qeveria të raportoj këtë raport vjetor financiar në këtë komision, por jo edhe ministritë. Prandaj, propozoj që të shtojmë dhe piken shqyrtimi i raporteve vjetore të ministrive”, ka thënë Mustafa.
Në anën tjetër, deputetja Shqipe Metaj nga VV vlerësoi se formulimi aktual mund të përfshijë raportimet e institucioneve përkatëse dhe se detajet mund të sqarohen përmes planit të punës së Komisionit.
Metaj: Koleg jemi duke folur për fushëveprimtarinë dhe ndoshta e përfshinë e gjithë kjo
“Koleg jemi duke folur për fushëveprimtarine, dhe ndoshta e përfshin gjithë kjo që shqyrtimin e raporteve të të gjitha institucioneve. Mandej, organeve të pavarura që raportojnë në Kuvend. Tek plani i veprimit dhe i komisionit mund të degëzohen dhe të thjeshtësohen se cili institucion raporton para neve”, ka thënë Metaj.
Për këtë ka replikuar Mustafa, duke insistuar që nuk përfshihet pika e lartpërmendur.
Mustafa: Veçohen institucionet
“Do pajtohesha 100 për qind me kolegen nëse pika 7 do të thoshte shqyrtimi i raporteve vjetore i të gjitha institucioneve, por nuk thotë ashtu. E veçon vetëm të institucioneve, organeve të pavarura. Pra, ka përjashtuar të tjerat dhe përfshin vetëm institucionet ose organet e pavarura”, ka shtuar Mustafa.
Deputeti Valon Hoti kërkoi qartësim rreth institucioneve që do të përfshiheshin, ndërsa kryetari Haliti potencoi se ndryshimet nuk janë të nevojshme, pasi praktika e deritanishme nuk ka hasur vështirësi dhe çdo ndërhyrje mund të komplikojë funksionimin e Komisionit.
Haliti: Nuk besoj që ka nevojë të bëhen ndryshime për shkak se mund të na komplikoj punën
“Nuk besoj që ka nevojë të bëhen ndryshime për shkak se mund të na komplikoj punën dhe fushëveprimtarinë e komisionit”, tha Haliti.
Propozimi i Mustafës nuk mori votat e mjaftueshme, ndërsa fushëveprimtaria e Komisionit u miratua në formën ekzistuese.
Sa i përket pikës tjetër, shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror, kryetari i Komisioni për Buxhet, Enver Haliti, ka thënë se është e nevojshme të marrin një javë kohë, në mënyrë që deputetët të kenë mundësi të analizojnë dhe nëse kanë propozime, të tek sekretaria para mbledhjes së ardhshme.
Komisioni është duke vazhduar edhe me pika tjera në të cilën përfshihet edhe shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror.
