Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit për pesëmbëdhjetë persona, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit. Vendimi u mor dje pas dy seancave të ndara dëgjimore, të mbajtura në orën 18:30 dhe 21:55.
Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte kërkuar paraburgimin, duke argumentuar se të dyshuarit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, kishin ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet dhe cenuar integritetin e procesit zgjedhor.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, vlerësoi se ekziston rreziku real që të dyshuarit, nëse do të ishin në liri, mund të ndikojnë tek dëshmitarët dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh rëndësinë e veprës penale.
Të dyshuarit do të mbahen në paraburgim për një muaj, nga data e arrestimit deri më 28 shkurt 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda afatit ligjor.
