Aktuale

“Skemë e Ramës”- Agron Shehaj: Nëse Balluku mungon në votimin e Territoriales, do ta nxjerrë zbuluar teatrin që bëri Braçe

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar për përplasjen e deputetit socialist Erion Braçe me të vetetë lidhur me Reformën Territoriale, duke e cilësuar atë si një përplasje të inskenuar që, sipas tij, mund të zbulohet nga votimi në Kuvend.

Shehaj tha se qëndrimi i Braçes do të provohet në momentin e votimit, pasi shumicës i nevojiten 84 vota për miratimin e reformës, ndërsa aktualisht disponon 85.

“Tani e vërteta është që do ta zbulojmë shumë shpejt. Që kjo është e gjitha një lojë. Ramës i duhen 84 vota për të kaluar reformën territoriale. Ndërkohë ka 85. Por ka një mundësi që Braçe mos ta votojë reformën territoriale dhe kjo varet nga pjesëmarrja apo jo e Belinda Ballukut në Parlament”, deklaroi Shehaj.

Sipas tij, mungesa e Belinda Ballukut në Kuvend do ta vendoste Braçen përballë nevojës për të votuar pro reformës, nëse mazhoranca do të kërkonte të siguronte numrin e nevojshëm të votave.

“Belinda Balluku nuk vjen prej kohësh në Parlament që kur SPAK-u kërkoi arrestimin e saj. Tani në rastin konkret mazhoranca ka nevojë për votën e Belinda Ballukut, se pa votën e Ballukut, Braçe do të detyrohej të votonte dhe të zbulonte të gjithë lojën e ngritur nga Edi Rama”, tha ai.

Shehaj e cilësoi përplasjen publike të Braçes me Ramën si pjesë të një “teatri” politik dhe kritikoi edhe mbështetjen që, sipas tij, Braçe ka marrë nga opozita.

“Tallja që u bëhet qytetarëve është e pabesueshme. Tani Erion Braçe ka bllokuar foltoren dhe kërcënon Edi Ramën se do të votojë gjoja kundër reformës territoriale. Por ajo që është më e pabesueshme akoma është që tani Braçen e mbështet edhe opozita në këtë teatrin e tij, në lojën që po bën kundër Edi Ramës gjoja”, u shpreh Shehaj.

Kreu i Mundësisë thekson se pjesëmarrja ose jo e Ballukut në seancë dhe mënyra si do të votojë Braçe do të tregojnë, sipas tij, nëse përplasja është reale.

“Sot do ta zbulojmë. Loja do të vazhdojë apo do të dalin zbuluar sepse Belinda Balluku do të vijë në Parlament. Apo Belinda Balluku do të vijë në Parlament që të mundësojë lojën e Edi Ramës. Tani do ta shikojmë”, përfundoi Shehaj.

Të Ngjashme