Politik

“Skenar i parapërgatitur” – Haziri “zbeh” shpresat për Hotin: Dorëheqja e Abdixhikut…

 
   

Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lumir Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të LDK-së dhe pret që e njëjta të miratohet (ose jo) nga Kuvendi i partisë i thirrur më 31 janar.

Por, mbajtjen e Kuvendit nuk e ka pritur ish-kryeministri dhe nënkryetari, Avdullah Hoti, i cili të dielën në mëngjes shpalli kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së.

“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me këtë rast, falënderoj të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së për përkushtimin në udhëheqjen e LDK-së në pesë vitet e fundit: Kryetarin Abdixhiku, kolegët e Kryesisë, të degëve e nëndegëve dhe forumet anekënd Kosovës. Mirënjohja ime e thellë shkon, para së gjithash, për anëtarësinë besnike të LDK-së — shtyllën mbi të cilën kjo parti ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë.

Në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë. Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë”, ka shkruar mes tjerash Hoti në një njoftim në rrjetin social Facebook.

Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta në opinion, ndërsa ka ndarë në “dysh” LDK-në, një pjesë e së cilës vazhdon ta mbështes Abdixhikun pavarësisht debaklit në zgjedhje.

Analisti Nexhat Haziri e konsideron si lajm të mirë kandidaturën e Hotit, por se thotë që Kuvendi i 31 janarit nuk do të prodhojë proces zgjedhor, pasi aty do të refuzohet dorëheqja e Abdixhikut.

 Image
 Nexhat Haziri 
 

“Përkundër faktit se është lajm i mirë shpallja e kandidaturës së prof. Avdullah Hotit për kryetar të LDK-së, si një personalitet i vlerësuar, unë nuk pres që të ketë garë në një proces zgjedhor që duket se nuk ekziston. Kuvendi i LDK-së më 31 janar nuk do të prodhojë proces zgjedhor, sepse është i konstruktuar që të ndjekë një skenar të parapërgatitur për ta refuzuar dorëheqjen e ashtuquajtur “të ofruar” nga kryetari aktual, z. Lumir Abdixhiku”, shprehet Haziri.

Sipas Hazirit, ofrimi i dorëheqjes dhe jo dorëheqja e parevokueshme e Abdixhikut u bë për t’i shmangur zgjedhjet brenda partiake.

“Pra, për t’i shmangur zgjedhjet dhe dorëheqjen që do të duhej të ishte e parevokueshme pas rezultatit të dobët që pati LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit, si dhe shpalljen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e partisë, z. Abdixhiku zgjodhi një formë ofrimi të dorëheqjes në Kuvend, e cila, në përbërjen e tij aktuale, pritet të mos i pranohet, duke i dhënë sërish një lloj votëbesimi nga ky organ partiak që z. Abdixhiku të qëndrojë edhe më tutje në krye të LDK-së”, nënvizon ai.

Analisti thekson se për këtë arsye nuk pritet të ketë as kandidatura të tjera për kryetar të LDK-së.

“Ky “driblim” nga ana e z. Abdixhiku është lexuar tashmë nga të gjithë dhe nuk pres që të ketë kandidatura të tjera që do t’i hyjnë garës për kryetar të LDK-së, për arsyen se gara nuk ekziston, nuk ekziston as proces zgjedhor e demokratik; thjesht është një improvizim i z. Abdixhiku dhe mbështetësve të tij”, potencon ai.

Nisur nga këto zhvillime, Haziri paralajmëron pasoja për LDK-në dhe skenën politike në Kosovë.

“Kjo, sikurse edhe deri më tani, do të ketë pasoja për vetë partinë dhe peshën e saj në skenën politike kosovare, si dhe nuk përjashtohet mundësia e thellimit të përçarjeve, për arsye se LDK-ja prej një kohe të gjatë nuk ka pasur proces zgjedhor demokratik dhe gjithëpërfshirës, duke filluar nga niveli më i ulët i organizimit të saj e deri në nivelin qendror”, përfundon ai.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme