Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar sot një takim me anëtarët e saj, në të cilin ka marrë pjesë drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Në fokus të takimit ishte plani i punës i Doganës për vitin 2026, si dhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Doganës së Kosovës dhe sektorit privat.
Në fjalën hyrëse, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerësoi lart partneritetin ndërinstitucional, duke përgëzuar reformat e vazhdueshme të ndërmarra nga Dogana e Kosovës ndër vite. Ai theksoi se ky institucion është shndërruar në një nga më të avancuarit në rajon, krahasuar me institucionet homologe në Ballkan.
Drejtori i përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, prezantoi synimet strategjike të institucionit për lehtësimin e tregtisë dhe mbështetjen e sektorit privat, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. Ai nënvizoi se treguesit e performancës për vitin 2025 kanë shënuar përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet paraprake, duke theksuar edhe rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe cilësinë e shërbimeve doganore.
Sipas një komunikate të odës, duke folur për zhvillimet infrastrukturore, Llugaliu përmendi inaugurimin e një skeneri të ri në vendkalimin kufitar në Merdare, si donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe funksionalizimin e skenerëve të tjerë gjatë vitit 2026. Po ashtu, ai theksoi zgjerimin e vendkalimit doganor në Vërmicë, si një nga projektet më të rëndësishme, për shkak të vëllimit të madh të shkëmbimeve tregtare që përpunohen në këtë pikë kufitare.
Në lidhje me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e tarifave doganore për mallrat me origjinë amerikane, Drejtori i Doganës bëri të ditur se janë duke u analizuar praktikat më të mira ndërkombëtare për përcaktimin e origjinës së mallrave, me mbështetjen e Programit për Zhvillimin e të Drejtës Komerciale të SHBA-së (CLDP).
Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje konkrete me të cilat përballen ndërmarrjet private, për të cilat u theksua gatishmëria për adresim dhe zgjidhje brenda kuadrit ligjor, duke u vënë në pah rëndësia e dialogut të hapur dhe të sinqertë ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

