Lajme

“Snajperët e Sarajevës”, Der Spiegel përmend Aleksandar Vuçiqin e Jovica Stanishiqin

Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” u është bashkuar mediave europiane që kohët e fundit kanë raportuar historinë e një “safari njerëzor” që thuhet se ndodhi gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Bëhet fjalë për njerëz që dyshohet se udhëtuan nga vende të ndryshme të Europës për në kryeqytetin Sarajevë të rrethuar nga forcat serbe ku paguanin këta të fundit për të qëlluar mbi civilë të pafajshëm nga kodrat përreth.

“Der Spiegel” citon deklarata nga libri i Ezio Gavazzani, i cili përmend “230 italianë, së bashku me disa francezë, belgë dhe austriakë” që dyshohet se morën pjesë në vrasjen e civilëve duke paguar shuma të konsiderueshme parash.

Në fillim të reportazhit të gjerë, citohet gjykatësi italian në pension Guido Salvini, i cili, së bashku me autorin Ezio Gavazzani, ngritën një padi në gjykatën e Milanos kundër personave të panjohur për “vrasje me motive të ulëta”.

“Që diçka e papërshkrueshme ka ndodhur në Sarajevë, që ata që qëlluan njerëz atje për qejf, është përtej çdo dyshimi”, – tha Salvini në një intervistë televizive: “Falë shumë burimeve të ndryshme, nuk ka më asnjë dyshim për këtë.”

Shkrimi rikthen edhe akuzat për Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç që gjatë kohës së luftës është filmuar në këtë zonë. Gazetari kroat Domagoj Margetiç pretendon se Vuçiç, në rininë e tij, kishte shërbyer si vullnetar lufte në një njësi çetnike nën komandën e Slavko Aleksiç dhe se në varrezat hebraike kishte rënë në kontakt me “gjahtarë njerëzish” të huaj.

Akuza të ngjashme ishin ngritur edhe në vitin 2013 nga politikani serb i ekstremit të djathtë Vojislav Sheshel para tribunalit të OKB-së në Hagë, duke pretenduar se Vuçiç kishte qenë vullnetar në atë zonë përpara se të hynte në parti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar ngritjen e një gjykate ndërkombëtare, duke thënë se po dalin gjithnjë e më shumë informacione për një të ashtuquajtur “Safari në Sarajevë”, ku pretendohet se ka marrë pjesë edhe Vuçiçi.

Vuçiç i ka mohuar këto akuza përmes zëdhënëses së tij, duke i quajtur ato “një rast tipik dezinformimi dashakeq”. Sipas tij, në vitet ’90 ai ka qenë gazetar dhe përkthyes “pa asnjë lidhje me strukturat ushtarake” dhe “nuk ka marrë pjesë në luftime”.

Megjithatë, në një kafene në Zagreb, Margetiç paraqet dokumente që, sipas tij, mbështesin akuzat — përfshirë një protokoll të gushtit 1992, ku thuhet se një komandant çetnik urdhëronte që vullnetarit Vuçiç t’i jepej një pushkë gjysmë-automatike e tipit Zastava M59/66.

Dokumente

Të Ngjashme