Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Aktuale

Sonte të gjithë sytë nga qielli, “Hëna e Luleshtrydhes” e 2025 nuk do përsëritet për 18 vitet e ardhshme

Sot në mbrëmje do të mund të shikohet Hëna e Plotë e Luleshtrydhes, një ngjarje e veçantë astronomike që ndodh vetëm një herë në disa vite. Kjo hënë do të duket më e ulët se zakonisht në horizontin jugor, për shkak të një fenomeni të quajtur “Pozicioni ekstrem lunar” (major lunar standstill).


Hëna e Luleshtrydhes, e emëruar nga fiset Algonquian për shkak të sezonit të shkurtër të mbledhjes së luleshtrydheve, shfaqet çdo qershor dhe simbolizon periudhën e pjekurisë së këtij fruti të ëmbël. Këtë vit, faza e plotë e hënës do të ndodhë mëngjesin e 11 qershorit, por disku i saj do të jetë plotësisht i ndriçuar që në perëndim të diellit të 10 qershorit.

Për shkak të “iluzionit të hënës”, disku i hënës do të duket më i madh dhe do të marrë një ngjyrë të verdhë-portokalli, për shkak të shpërndarjes së dritës në atmosferë, kur ngrihet mbi horizont.

Çfarë është “Pozicioni ekstrem lunar”?
Hëna rrotullohet rreth Tokës në një orbitë të pjerrët rreth 5 gradë në raport me rrugën e diellit në qiell (ekliptikën). Për shkak të ndikimit gravitacional të Diellit, kjo orbitë luhatet në një cikël 18.6-vjeçar. Gjatë periudhës së “qëndrimit të madh lunar”, që zgjat dy vite, këndi i orbitës së hënës arrin kulmin, duke bërë që hëna të ngrihet dhe të perëndojë në pika më ekstreme në horizont dhe të lëvizë më lart ose më poshtë në qiell sesa zakonisht.

Kjo fazë përkon me afërsi me solsticin e verës në hemisferën veriore, kur Dielli ndjek rrugën më të lartë në qiell, ndërsa hëna ndjek një rrugë shumë të ulët. Këtë vit, Hëna e Luleshtrydhes do të jetë më e ulëta që nga viti 2006 dhe një ngjarje e tillë nuk do të përsëritet deri në vitin 2043.

/vizionplus.tv