Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka mirëpritur angazhimin e Kosovës për zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet.
Pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, Sorensen tha para mediave se gjatë bisedimit kanë diskutuar për hapat që po ndërmerren nga institucionet e Kosovës për zbatimin e këtyre ligjeve dhe për informimin e qytetarëve që preken nga to.
“Patëm një takim të mirë këtë mëngjes ku mirëpritëm angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken”, tha Sorensen.
Sorensen bëri të ditur gjithashtu se gjatë procesit është kërkuar që të ketë konsultime të strukturuara me përfaqësuesit e komuniteteve në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet mbështetja e tyre.
“Ne këmbëngulëm në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me mua si përfaqësues i BE-së për dialogun dhe me procesin që unë ndjek në kuadër të tij. Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha emisari evropian.
