Kryeministri Edi Rama në Samitin e Diasporës u ndal tek procesi i anëtarësimit në BE dhe roli i Shqipërisë në rang ndërkombëtar.
Rama u shpreh se dikur Shqipëria përpiqej për mbijetesë, e ndërsa sot për tu përmirësuar. Ai shtoi se sot Shqipëria respektohet ndërkombëtarisht si kurrë më parë.
“Kur ju erdhëm në Samitin e parë e ardhmja Europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot e ardhmja është një tryezë ku jemi ulur bashkërisht, ballë për ballë, ne dhe KE, me ambicien e përbashkët për të mbyllur procesin e negociatave deri në fund të vitit 2027.Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si çdo fjalë e përditshme, ajo që Ismail Qemali tha në momentin themelues në vendin tonë “Shqipëria do të bëhet”.
Në gojën e atit të pavarësisë ajo fjali nuk ishte një përshkrim, ishte një besim që kaloi ndër breza, me peripeci, që sot ka marrë trajtën e shtet-bërjes së Shqipërisë.
Falë reformash transformuesesh, kemi kaluar nga një Shqipëri që përpiqej të mbijetonte në një Shqipëri që përpiqet të përmirësohet. Nga një Shqipëri që kërkonte të pranohej ndërkombëtarisht, në një Shqipëri që besohet dhe respektohet si kurrë më parë në arenën ndërkombëtare.
Shqipëria sot nuk është gjëkundi më, Shqipëria që ju latë pas, ndryshon çdo ditë. Në mënyrë të pakthyeshme Shqipëria ecën vetëm përpara”, tha Rama.
