Aktuale

Sot opozita zbret në shesh, protestë para kryeministrisë kundër qeverisë dhe Ballukut! Skenari

Opozita do të zhvillojë sot një tjetër protestë kombëtare kundër qeverisë. Lideri demokrat, Sali Berisha, ftoi dje qytetarët që të dalin në protestën kombëtare që do të zhvillohen në Tiranë të premten e 20 shkurtit.

Ai akuzoi qeverinë se me ligjin e propozuar prej tyre në Kodin e Procedurës Penale synohet të mbrohet kryeministri dhe familja e tij. “Ndaj dhe unë ftoj shqiptarët të thonë fjalën e tyre me guxim epik nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Vetëm qytetarët, vetëm guximi i tyre i hekurt, vetëm vendosmëria e tyre do t’i vendosë këtë organizatë kriminale me në krye Edi Ramën para ligjit dhe do mbrojë qytetarët shqiptarë, do mbrojë pasuritë e tyre, do mbrojë të ardhmen e tyre nga një bandë armiqësore si këta”, – tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët për skenarin e protestës, Berisha u shpreh kështu: “I gjithë skenari i sheshit është misteri i kryengritjes paqësore”.

Sa u përket deklaratave të Kryetarit të Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, i cili bëri thirrje për protesta paqësore, Berisha tha se qëndron në të njëjtën linjë me të. Kryedemokrati deklaroi se gjithmonë ka ftuar për kryengritje paqësore. Duke iu referuar rasteve të hedhjes së molotovit, ai shtoi se në protestë mund të hyjnë njerëz të dëshpëruar, por theksoi se thirrja e tij është për protestë paqësore. Por ai akuzoi sërish qeverinë dhe Belinda Ballukun për vjedhjen e fondeve të rrugës. Kjo, pasi një tjetër segment rrugor është dëmtuar në vend, duke nxjerrë në pah edhe njëherë cilësinë e dobët të punimeve dhe dyshimet për abuzime.

Të Ngjashme