
Përfaqësuesi i grupit “Asnjë Cent më Shumë”, Besnik Shabiu u ka bërë thirrje qytetarëve që sot, me fillin në ora 12:00 të marrin pjesë në një protestë masive kundër rritjes së tarifës së energjisë elektrike.
Në një konferencë për media, Shabiu ka deklaruar se protesta do të jetë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të cilin e ka cilësuar si “të padrejtë dhe jo legjitim”.
“Për qytetarët është me rëndësi me ditë që aktiviteti ynë nuk ka ndalu për asnjë moment. Ne do ta vazhdojmë deri kur të pezullohet vendimi për shtrenjtimin në mënyrë krejtësisht jo legjitime nga ZRRE, i cili më nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të jemi të zëshëm ku bashkë me qytetarët do të fitojmë këtë proces. Nesër në orën 12:00 e kemi protestën e ardhës. Zëri i qytetarëve është mirë mos të ndaloj në asnjë moment”, tha ai.
Ai shtoi se nëse nuk ka reflektim, do të detyrohen ta masivizojmë protestën, përcjell Telegrafi.
“Masivizim do të thotë edhe përshkallëzim. Nuk jemi të lumtur që të japim këto lloj mesazhe. Nëse do të ketë nevojë ne do të bllokojmë edhe rrugët, institucionet që zëri të dëgjohet edhe më tutje”.
Përfaqësuesi i grupit shprehu gjithashtu shqetësim për paralajmërimet e fundit për rritje të çmimeve edhe në produkte bazike si mielli dhe buka.
Ai gjithashtu bëri të ditur se po shqyrtohet edhe pjesa ligjore e kundërshtimit, përmes një padie ndaj vendimit të ZRRE, ndërsa një nga hapat që mund të ndërmerren nëse nuk merren masa është edhe nisma për mos pagesë të faturave të energjisë elektrike nga ana e qytetarëve.