Aktuale

Sot seanca për imunitetin e Ballukut, votohen dy raportet! PD protestë brenda dhe jashtë Kuvendit, çfarë pritet të ndodhë

Sot pritet të votohen në seancë 2 raportet e maxhorancës dhe opozitës mbi kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste, Belinda Balluku, duke vulosur fatin e kësaj kërkese, që qëndron në Kuvend prej datës 16 dhjetor të vitit të shkuar.

PS dhe PD shkojnë të ndara në qëndrime. Socialistët këmbëngulin se tashmë pa një funksion ekzekutiv, e shkarkuar edhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe nga numri 2 i qeverisë, Balluku nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale dhe rruga e SPAK për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës arrest me burg. Për ta rrëzuar këtë kërkesë, Partisë Socialiste do i mjaftojnë 71 vota.

Ndërsa demokratët që dorëzuan të parët raportin e tyre insistojnë se heqja e imunitetit deputetes Balluku për t’i dhënë dritën jeshile arrestimit është domosdoshmëri, pasi pavarësisht se është zhveshur nga postet ministrore, rrezikon të intimidojë dëshmitarët e të prishë provat. Përballë Ulsi Manjës, në mungesë të kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhit të përjashtuar nga Etika, raporti i opozitës do të lexohet nga Oerd Bylykbashi. SPAK kërkoi në dhjetor dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, pasi më herët e kishte pezulluar nga 2 funksionet në qeveri dhe vijon ende me masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Balluku është e pandehur për dosjen e tunelit të Llogarasë, si dhe në hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe, e dyshuar për tenderin e rrugës ThumanëKashar si dhe 2 procedura të tjera tenderimi.

PROTESTA

Paralel me aksionin brenda parlamentit, demokratët do të rrethojnë Kuvendin në një protestë që do të nisë në të njëjtën kohë me seancën plenare. PD-ja shpërndau dje një mesazh në grupet e “Whatsap”-it të anëtarësisë. Në mesazhin në rrjetet sociale, PD fton demokratët të protestojnë në të njëjtën orë që mbahet seanca. “Të dashur demokratë, Balluku e mbylli kilometrin e fundit.

Tani është radha e Ramës! Nesër ora 10:00, tek parlamenti”, – thuhet në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale. Vetë kreu i opozitës, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës para Kuvendit, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në përballjen me qeverinë. “Leva e Arkimedit për largimin e Edi Ramës jemi vetëm ne, janë qytetarët shqiptarë është opozita shqiptare. Kështu që nesër shënon një etapë të re vendimtare, në betejën tonë për përmbysjen e këtij regjimi, armiqësor në të gjithë qenien e tij ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, kombit, të sotmes dhe të ardhmes së tyre.

Me besim të madh tek qytetarët shqiptarë se do t’i dalin zot ëndrrës së tyre më të bukur, interesit të tyre kombëtar, interesit të tyre personal, familjar, të fëmijëve të tyre, opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore gjer në rrëzimin përfundimtar të këtij regjimi antishqiptar, armiqësor të shqiptarëve. Ndaj dhe duke denoncuar me forcën më të madhe këtë zhvillim tmerrësisht negativa dhe me pasoja për vendin, le t’i zotohemi Edi Ramës se, ai nuk do të gëzojë kurrë këtë që mendon dhe se në rast se mendon t’i shpëtojë një prokurori, nuk do t’u shpëtojë kurrë lëkurën e tij nga populli shqiptar, nga qytetarët shqiptarë”, – u shpreh Berisha.

/Gazeta Panorama

Të Ngjashme