Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhje e radhës, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.
Mbledhja do të mbahet nga ora 10:00.
Ndërkohë, mbrëmë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 2,557 vendvotimeve, proces ky i cili u zhvillua pas evidentimit të mospërputhjeve gjatë numërimit fillestar.
KQZ ka bërë të ditur se rinumërimi është kryer në prani të vëzhguesve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, me qëllim të garantimit të transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, pritet të hapet edhe afati ligjor për ankesa eventuale nga subjektet politike.
