
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e mërkurë 20 gusht) për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Kjo pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që i obligon deputetët ta konsitutojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Seanca është thirrur për në ora 11:00.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në rend të ditës janë dy pika – zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Me publikimin e aktgjykimit të Kushtetueses, ditën e hënë, ka hyrë në fuqi edhe afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.
Gjykata ka theksuar se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përmbyllin seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Sipas Kushtetueses, për shkak se seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar në përputhje me aktgjykimin në rastin KO124/25, procesi duhet të rikthehet në fazën ku kishte mbetur, teksa seancat nga data 27 qershor deri më 26 korrik, janë shpallur të pavlefshme.