Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me Gjykatën Speciale, duke thënë se vendimet e saj nuk duhet të konsiderohen befasuese dhe se përgjegjësinë politike për themelimin e saj e mbajnë ata që e kanë votuar.
Ai shtoi se, në rast se gjykata nxjerr një aktgjykim lirues, atëherë – sipas tij – ata që e kanë kritikuar vazhdimisht duhet të reflektojnë për qëndrimet e tyre.
“Nuk më befason vendimi i Gjykatës Speciale. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë, por sidoqoftë përgjegjësinë se nëse kjo gjykatë ka dalë jashtë binarëve e kanë vetë ata që e kanë votuar atë. Pse s’i kanë hapur sytë mirë? Nëse çdo gjë shkon mirë, atëherë këta që po e shajnë Gjykatën Speciale atëherë duhet të pendohen, sepse gjatë gjithë kohës po e shajnë pse, por nëse jep aktgjykim lirues çfarë do të thonë këta?”, deklaroi ai në Tëvë1.
Spahiu theksoi gjithashtu se protestat publike nuk kanë ndikim në vendimmarrjen e gjykatës.
“Gjykata Speciale nuk ndikohet prej protestave. Përkundrazi, protestat mund të shërbejnë si argument në raport me pretendimet e avokatëve të të akuzuarve, të cilët thonë se klientët e tyre nuk kanë pasur rol komandues. Ndërsa protestuesit po i quajnë komandantë dhe çlirimtarë, gjë që bie ndesh me linjën mbrojtëse”, u shpreh Spahiu.
