Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të jetë më e vëmendshme dhe e kujdesshme sa i përket aspektit të sigurisë në vend.
Spahiu tha se ekziston ende rreziku për një sulm të dytë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Sipas tij, mund të ketë sulm tjetër në jug të Kosovës, dhe se në rast se do të ketë sukses, do të ishte dëm i madh për Kosovën.
“Jemi në jë situatë rrezik lufte, Serbia që sa ditë po kryen ushtrime ushtarake, e ka mobilizuar rezervën ushtarake, ato kushtojnë miliona euro për zhvillimin e ushtrimeve, ajo nuk bëhet kot. KFOR-i po i shton kapacitetet kot, edhe kjo nuk bëhet kot, kushtojnë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se me Banjskën nuk ka përfundua çdo gjë, ka qenë sukses i Kosovës. Një përpjekje e dytë për një Panda 2 në jug të Kosovës, është më se e mundshme, jam i bindur se një përpjekje që nëse dështon do të ishte 2:0 për Kosovën, nëse nuk dështon Kosova mund të jetë në telashe, pason sulmi i ushtrisë së Serbisë”, tha ai.