Aktuale

“SPAK, hapa domethënës në luftën ndaj korrupsionit”/ Lala: Arrestoi Veliajn në zyrën e tij

Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me korrupsionin, reagimin e shoqërisë shqiptare ndaj këtij fenomeni dhe luftën e SPAK ndaj tij.

E ftuar në një emision Lala u shpreh se Prokuroria e Posaçme ka bërë hapa domethënës në luftimin e korrupsionit dhe zyrtarëve të korruptuar. Ndër sukseset e SPAK, gazetarja përmendi arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në zyrën e tij.

“Nuk ndaj qëndrimin që shoqëria shqiptare është e korruptuar. As nuk besoj se një njeri është i detyruar të korruptohet për shkak të një halli personal. Mendoj se një pjesë e shoqërisë e relativizon korrupsionin, nuk e denoncon. Mund ta shohë, thotë nuk është problemi im. Relativizimi ose qëndrimi në heshtje na bën ndoshta të dukemi si shumicë e korruptuar. Por unë besoj se pjesa dërrmuese e shoqërisë nuk është e korruptuar. Has në përditshmëri plot njerëz, që e fitojnë jetesën e vet me punë të ndershme. A mundet SPAK-u ta luftojë korrupsionin? SPAK i vetëm nuk e lufton dot korrupsionin, pasi duhen denoncime. Do të thotë nëse unë gjendem përpara një rasti korrupsioni, nuk ka si ta dijë SPAK, duhet ta denoncoj. Nuk ka denoncime. Njerëzit e relativizojnë, por kjo nuk e bën shoqërinë e korruptuar. SPAK duhet të ketë të gjitha institucionet ligjzbatuese të referojnë raste por edhe qytetarët duhet të referojnë. SPAK në këto tre vitet e fundit ka pasur hapa domethënës. Fakti që SPAK ka arrestuar kryetarin e bashkisë më të madhe në zyrën e tij është sukses”, tha Lala.

Të Ngjashme