Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur lidhur me kërkesën e SPAK në Kuvend për heqjen e imunitetit për Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zv.kryeministrja Belinda Balluku si dhe vendimin e GJKKO për pezullimin e saj.
Rama e cilësoi këtë një rast unik dhe shumë të çuditshëm, duke theksuar se ky është një precedent që ka cenuar kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe është ndërhyrje brutale në punët e qeverisë.
Ai tha se qeveria nuk ka ndërhyrë në rastin e ministres Balluku, por se “rasti u fut te dera jonë” duke shkelur kompetencat.
“Kanë dëgjuar ndonjë fjalë avokatie nga ana jonë? Nuk besoj. Askush nga ne nuk ka ndërhyrë në përmbajtjen e këtij rasti. Ky rast është krejt ndryshe, sepse ka kaluar në duar të pushtetit legjislativ, dhe ky pushtet duhet të shprehet. Këshilli i Mandateve nuk është një ‘zyrë noteri’, dhe Parlamenti nuk mund të autorizojë kërkesa që vijnë nga jashtë”, tha Rama.
Në lidhje me dosjen prej 16 mijë faqesh, Rama e hodhi poshtë atë si produkt të hetimit, duke thënë se ato janë përzierje dokumentesh, kontratash studimi dhe dokumenteve të tjera administrative.
“Po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do t’ju thosha: ‘Çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët. Nuk mund të vijmë këtu me 16 mijë faqe që i quani prova.’ Ato 16 mijë faqe nuk janë produkt i hetimeve, janë dokumente që nuk kanë lidhje me hetimin, përfshirë kontrata dhe arkiva të Ministrisë. USB e sjellë nga prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë i kanë nxjerrë këta. Nuk kemi të bëjmë me ndryshim qëndrimi, kemi të bëjmë me një qëndrim të duhur shumë korrekt sepse rasti vjen në parlament. Dhe përpara se të vinte në parlament, rasti erdh i u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv me një kërkesë skandaloze për pezullim e pa ndodhur në historinë e botës. Në parlament do të mbajmë qëndrim”, u shpreh Rama./rtsh.al/

