Nga Ministria e së Vërtetës.
Në një aksion që ka lënë pa fjalë botën e krimit të organizuar dhe pushuesit e elitës, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur me sukses operacionin “Rrezet e Diellit”, duke bastisur disa vila luksoze në një kompleks në Palasë.
Sipas burimeve, agjentët e BKH-së, të pajisur me dedektorë metalesh dhe syze dielli polarizuese, kanë mbetur të mrekulluar nga arkitektura e vilave të Ergys Agasit dhe miqve të tij, përpara se të kujtoheshin se kishin ardhur për të sekuestruar prova.
”Ishte një operacion i vështirë,” tha një hetues i cili kërkoi të mbetej anonim sepse ende nuk kishte mbaruar koktejin e sekuestruar në pishinë. “Gjetëm materiale komprometuese që vërtetojnë se korrupsioni në Shqipëri nuk ka vetëm duar të pastra, por ka edhe këmbë të nxira nga dielli.”
Lista e materialeve të sekuestruara si prova materiale:
3 palë shapka me gisht: Njëra prej të cilave dyshohet se është përdorur për të shkelur mbi ligjin, ndërsa tjetra thjesht mbi rërën e imët të bregdetit.
Një palë brekë plazhi: Me ngjyra fluoreshente, të cilat hetuesit besojnë se shërbenin si sinjal për të orientuar tenderat që vijnë nga deti.
Një tubet kremi kundër diellit: Me faktor mbrojtës aq të lartë, saqë personat nën hetim besohet se bëheshin të padukshëm për drejtësinë për vite me radhë.
Një peshqir me logon e “Rilindjes”: I cili ishte ende i lagur, duke ngritur dyshime se dikush sapo kishte dalë “i larë” nga një proces gjyqësor.
Ndërsa bota priste dokumente sekrete apo thasë me para, SPAK ka sqaruar se shapkat me gisht janë kyçe për hetimin. “Nëse shapka përputhet me gjurmën e lënë në zyrat e shtetit, atëherë kemi të bëjmë me një rast të pastër flagrance,” deklaroi një zëdhënës i SPAK-ut ndërsa po provonte nëse shapkat i bënin në numër.
Vila e tretë, pronësia e së cilës mbetet “mister”, thuhet se mbrohet nga një sistem sigurie aq i avancuar saqë kur hetuesit trokitën, një zë automatik u përgjigj: “Këtu nuk banon njeri, kjo është thjesht një bunker artistik për mbledhje poezish.”
Opozita ka reaguar menjëherë, duke akuzuar SPAK-un se nuk sekuestroi mjaftueshëm aksesorë. “Ku janë syzet Ray-Ban? Ku janë varëset e floririt? Ky është një hetim selektiv që lë jashtë vajin e nxirjes!” tha një përfaqësues i opozitës nga një skaf i parkuar aty pranë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa BKH-ja ka paralajmëruar se hapi tjetër do të jetë kontrolli i frigoriferëve të vilave për të parë nëse akulloret janë blerë me TVSH apo me para nën dorë./JOQ
