Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Spanja dhe Portugalia mbesin pa energji elektrike

Energjia elektrike u shua në të gjithë Portugalinë, Spanjën dhe Andorrën rreth mesditës së të hënës, për shkaqe ende të panjohura.

E përditshmja spanjolle El Pais raporton ndërprerje të konsiderueshme të udhëtimit, me aeroporte, trena, metro dhe semaforë të prekur nga ndërprerja.

Kompania hekurudhore e Spanjës konfirmoi se të gjithë trenat kanë ndaluar funksionimin, raporton Anadoly.

Qendra Kombëtare Portugeze e Sigurisë Kibernetike lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se nuk kishte asnjë shenjë se ndërprerja ishte për shkak të një sulmi kibernetik.

Qeveria e Portugalisë tha se ndërprerja duket se buronte nga problemet jashtë vendit, tha një zyrtar për agjencinë kombëtare të lajmeve Lusa.

“Duket sikur ishte një problem me rrjetin e shpërndarjes, me sa duket në Spanjë. Është ende duke u konstatuar,” citohet të ketë thënë ministri i kabinetit, Leitão Amaro.

Departamenti i trafikut në Spanjë u kërkoi qytetarëve që të shmangin sa më shumë përdorimin e makinave të tyre për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, e cila ka prekur semaforët dhe sinjalistikën elektrike rrugore, shkruan AP.

Spitalet portugeze dhe shërbimet e tjera të urgjencës kaluan në gjeneratorë. Stacionet e benzinës pushuan së punuari dhe trenat pushuan së funksionuari.

Autoriteti Kombëtar i Portugalisë për Emergjencat dhe Mbrojtjen Civile tha se sistemet rezervë të energjisë po funksiononin.

Vendet kanë një popullsi të kombinuar prej mbi 50 milionë banorësh. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa ishin prekur. Është e rrallë të ketë një ndërprerje kaq të përhapur në të gjithë Gadishullin Iberik.