Lajme

Spanja nuk jep leje për përdorimin e hapësirës së saj për sulme ndaj Iranit, largohen avionët amerikanë

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, deklaroi se Spanja nuk do të lejojë përdorimin e bazave të saj ushtarake për sulme ndaj Iranit.

Sipas Reuters, 15 avionë amerikanë janë larguar nga bazat Naval Base Rota dhe Moron Air Base në jug të vendit, sipas të dhënave nga Flightradar24, pasi SHBA dhe Izraeli nisën sulmet e fundjavës ndaj Iranit.

Duke folur për Telecinco, Albares tha “ Bazat spanjolle nuk po përdoren për këtë operacion dhe ato nuk do të përdoren për asgjë që nuk përfshihet në marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara ose për asgjë që nuk është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Kurse, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka paralajmëruar kundër një “spiraleje dhune” në Lindjen e Mesme.

Në një postim në X, ai tha se “dhuna çon vetëm në më shumë dhunë. Bombat godasin objektiva ushtarake, por edhe rrugë, aeroporte, shkolla dhe shtëpi të civilëve të pafajshëm.”

“Kjo spirale dhune duhet të ndalet menjëherë dhe duhet të ketë një kthim në kuadrin e diplomacisë dhe dialogut”, shtoi ai.

Të Ngjashme