Aktuale

Spanja ‘sfidë’ të hapur Donald Trump. Merr këtë vendim kundër SHBA-së

Qeveria spanjolle ka vendosur të ndalojë përdorimin e hapësirës së saj ajrore dhe të bazave ushtarake Morón dhe Rota për avionët amerikanë të përfshirë në operacione kundër Iranit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, duke theksuar se Madridi nuk do të lejojë asnjë veprim që mund të përshkallëzojë konfliktin.

Ministri i Jashtëm, José Manuel Albares, tha se qëllimi i këtij vendimi është të shmanget çdo veprim i rrezikshëm dhe i paligjshëm.

Sipas mediave, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar më herët me një embargo tregtare ndaj Spanjës për kundërshtimin e saj ndaj sulmeve amerikane.

Që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez është shfaqur si një kritik i ashpër i operacioneve amerikane dhe izraelite, duke i cilësuar ato “të papërgjegjshme” dhe “të paligjshme”. Ai ka refuzuar gjithashtu fluturimet e avionëve cisternë amerikanë dhe çdo operacion që përdor bazat e përbashkëta në Andaluzí.

Ky vendim pritet të komplikoje logjistikën e operacioneve amerikane, duke detyruar avionët të fluturojnë rreth Gadishullit Iberik ose përmes Francës, ndërsa përdorimi i hapësirës ajrore spanjolle dhe uljet në bazat e saj lejohet vetëm në raste emergjente.

Sipas gazetës El País, Spanja ka mbajtur këtë qëndrim në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke marrë mirëkuptimin e Iranit për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të ndjeshme të furnizimit botëror me naftë.

Të Ngjashme