Gjykata Speciale e ka adresuar mbajtjen e ligjëratës në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke thënë se kjo ligjëratë nuk ka pasur përmbajtje politike ose ideologjike.
Ajo tha se qëllimi i këtyre aktiviteteve është prania e saj në Kosovë dhe krijimi i hapësirës që njerëzit në Kosovë t’i ndajnë pikëpamjet e tyre.
Megjithatë, Gjykatës Speciale dje i ka dalë kundër pikërisht gjimnazi “Xhevdet Doda”, ku përmes një reagimi publik ka theksuar se këto ligjërata nuk janë mbajtur nga zyrtarë të Speciales.
“Që nga viti 2018, me mbështetjen bujare të Zvicrës, ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka zhvilluar aktivitete komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në mbarë Kosovën pothuajse çdo muaj”, thuhet në komunikatën e Speciales.
“Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre”.
“Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë. Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë”.
Gjykata tha se gjatë këtyre aktiviteteve jepen vetëm informacione që tashmë gjenden në faqen e Dhomave të Specializuara në internet, dhe se informacioni nuk ka ngarkesë politike apo ideologjike.
Ata madje thanë se për ta janë të rëndësishme mendimet e njerëzve në Kosovë dhe që t’iu përgjigjet atyre përmes programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.
“Informacioni që jepet gjatë këtyre aktiviteteve është i njëjti informacion që mund të gjendet edhe në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Këtu përfshihet informacioni në lidhje me mandatin e Gjykatës sipas Ligjit, të drejtat e të akuzuarve, pjesëmarrjen e viktimave dhe zhvillimet ligjore në çështjet gjyqësore. Gjykata është një institucion i ndarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i administruar nga Zyra Administrative si organ asnjanës i Gjykatës, nuk përfaqëson as Prokurorinë, as Mbrojtjen. Prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet qartë. Në informacionin që përcillet nuk përfshihet përmbajtje politike apo ideologjike”.
“Prej vitesh, DHSK-ja ka komunikuar në mënyrë transparente lidhur me aktivitetet e saj të rregullta të komunikimit dhe ndërgjegjësimit dhe qëllimin e tyre. Në ato aktivitete kanë marrë pjesë gazetarë, të cilët kanë raportuar për to. Për aktivitetet e komunikimit dhe ndërgjegjësimit në Kosovë, Gjykata raporton rregullisht në informimet javore me mediat, në faqen e internetit dhe kanalet e rrjeteve sociale, si dhe në raportet vjetore të saj. DHKS-ja e vlerëson të rëndësishme të dëgjojë mendimet e njerëzve në Kosovë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre përmes Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim”.
