Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kërkoi të hënën që komandantët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqitë dënohen me nga 45 vjet burg secili, nën akuzat për vrasje, torturë dhe përndjekje gjatë viteve 1998–1999.
Kjo kërkesë e prokurorisë para Dhomave të Specializuara, që në total kap shifrën prej 180 vjetëve, është dukshëm më e ashpër se sa kërkesat që kishte bërë më herët Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY) -së në rastet kryesore ndaj ish-komandantëve të UÇK-së, që ishin dy.
Në rastin e Ramush Haradinajt, Prokuroria e ICTY-së kishte kërkuar 25 vjet burg gjatë fjalëve përmbyllëse. Kryetari aktual i AAK-së u shpalli pafajshëm më 3 prill 2008. I njëjti u lirua me vendim përfundimtar, edhe pas rigjykimit të pjesshëm, më 29 nëntor 2012.
Edhe në rastin Limaj, Prokuroria e ICTY-së kishte kërkuar 10 vjet burg për atë që tashti është kryetar i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limajn. Por, ky u shpalli pafajshëm më 30 nëntor 2005, ndërsa Apeli e la në fuqi lirimin më 27 shtator 2007.
Ndryshe nga rastet e gjykimeve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që lidhen me luftën në Bosnjë, ku ICTY ka dhënë dënime ekstreme për krime masive (përfshirë burgim të përjetshëm për liderët ushtarakë e politikë serbë, Ratko Mlladiqin dhe Radovan Karaxhiqin), në proceset kryesore për Kosovën në ICTY, kërkesat dhe epilogët kanë rezultuar përgjithësisht me pafajësi për të akuzuarit kryesorë të UÇK-së. Në këtë kontekst, kërkesa aktuale prej totalit 180 vjet për Katërshen e komandantëve, e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, shihet si një prag ndëshkimi i paprecedent për një çështje të lidhur me UÇK-në në Hagë.