Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë qëndrimit në Kosovë ka folur edhe për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga.
Spiropali tha se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe se ajo nuk mund të ecë me standarde të dyfishta. Kryediplomatja shqiptare nënvizoi se lufta e Kosovës nuk ishte luftë për pushtet dhe se viktima dhe agresori nuk mund të vendosen në të njëjtën pozitë.
Megjithatë, ajo tha se Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por e njëjta duhet të jetë e paanshme dhe s’mund të ecë me dy standarde, duke vendosur viktimën dhe agresorin në të njëjtin plan ligjor, moral e historik.
Spiropali për ish-krerët e UÇK-së: Drejtësia duhet të jetë e paanshme
“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetar të Kosovës. Ata janë figura që përfaqësojnë një kapitull të caktuar të historisë sonë të rezistencës. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë vendim gjyqësor, por kemi detyrimin moral dhe historik të themi qartë se drejtësia duhet të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore, pa shkelje të të drejtave të njeriut dhe jo drejtësi e pjesshme. Ajo nuk mund të shkëputet nga konteksti i një lufte çlirimtare të një populli të tërë. Nuk mund të injorojë faktin se në Kosovë ka pasur agresion shtetëror, spastrim etnik dhe krime masive ndaj popullsisë civile shqiptare. Asnjë proces gjyqësor nuk duhet të krijojë perceptimin se historia po rishkruhet në mënyrë të pabalancuar”, tha ajo.
E pyetur se kush ka kontribuar më shumë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ajo tha se nuk janë në garë.
Shqipëria apo Kosova, kush i ka ndihmuar më shumë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë
“Ne nuk jemi në një garë se kush apo cili i ka mbrojtur më shumë të drejtat, por jemi, pa diskutim, në një test të koordinimit tonë, të harmonizimit të qëndrimit tonë sa i takon jo vetëm drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, por edhe qëndrimit tonë kombëtar mbi luftën e UÇK-së, mbi legjitimitetin e asaj lufte dhe mbi të drejtën e këtij populli për të mbrojtur me forcë të drejtën ndërkombëtare në nivelet më të larta”, shtoi ajo.
Më 9 shkurt të këtij viti, në Dhomat e Specializuara ka nisur paraqitja e fjalës përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest, ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
