Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Srebrenica në shërbim të politikës së Vuçiqit

 
   

“Ka ardhur koha për të vërtetën” – kështu i paralajmëruan mediat proqeveritare në Serbi filmat dhe “emisionet speciale” që mohuan gjenocidin në Srebrenicë.

Ato u transmetuan gjatë ditëve që shënuan 30-vjetorin e vrasjes së më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Për gjenocidin si “mashtrim” folën presidenti i entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe krimineli i dënuar i luftës, Vojisllav Sheshel.

Në televizionet “Informer” dhe “Prva” – me frekuencë kombëtare – u transmetua një serial që “zbulon manipulimin më të madh politik të drejtuar kundër popullit serb”.

Pas serialit qëndron organizata “Qendra për Stabilitet Shoqëror”, autore edhe e një filmi të mëhershëm që mohon krimin ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, më 1999.

“Ky narrativ tani është veçanërisht i theksuar. Përveç faktit që këtë vit bëhen 30 vjet nga gjenocidi, ai shfrytëzohet edhe për të goditur kundërshtarët politikë të pushtetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë historiani dhe autori i një libri për gjenocidin në Srebrenicë, Dragan Popoviq.

Përvjetori i gjenocidit po zhvillohet në një atmosferë protestash studentore dhe qytetare në Serbi, që kanë tronditur Qeverinë e presidentit populist, Aleksandar Vuçiq.

Edhe pse nuk janë shprehur drejtpërdrejt për Srebrenicën, pushteti dhe mediat proqeveritare i akuzojnë protestuesit se duan ta shpallin popullin serb si gjenocidial.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar vrasjen e më shumë se 8.000 boshnjakëve.

Vetëm dhjetë ditë para 30-vjetorit të gjenocidit, një gjykatë në Beograd e liroi ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Millenko Zhivanoviq, nga akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile në Srebrenicë.

Deri më sot, në Serbi janë dhënë edhe tri aktgjykime të tjera, pa përmendur gjenocidin.

Dy janë rezultat i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë që prokuroria i arriti me të akuzuarit, menjëherë pasi Bosnje dhe Hercegovina ngriti aktakuza kundër tyre.

Një tjetër rast që lidhet me Srebrenicën, po zhvillohet në Gjykatën e Lartë në Beograd.

Gjyqi për vrasjen e më shumë se 1.300 civilëve boshnjakë në fshatin Kravicë, i cili filloi në fund të vitit 2016, është ende në fazën e provave.

Të gjithë të pandehurit mbrohen në liri.