Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Statovci: S’ka zgjedhje në prill, partitë do të reflektojnë për presidenten

 
   

Jeta Statovci nga Partia Guxo është shprehur e bindur se nuk do të ketë zgjedhje të reja në prill, pasi çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës mund të zgjidhet pa e kthyer vendin përsëri drejt kutive të votimit.

Ajo ka thënë se beson se partitë e tjera do të ripozicionohen dhe do të reflektojnë mbi strategjitë e tyre pas rezultateve të fundit zgjedhore.

“Me rezultatin që po e shohim dhe edhe me rezultatet lokale, ku Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partnerët doli fituese në tri komuna, ndërsa subjektet e tjera humbën, nuk shoh arsye për zgjedhje të reja në prill. Besoj se do të ketë reflektim dhe ripozicionim nga partitë e tjera”, ka thënë Statovci.

Ajo ka përmendur Lidhjen Demokratike të Kosovës si një nga partitë që mund të ndryshojë qasjen e saj në këtë proces.

“Disa parti tashmë kanë filluar të mendojnë për lidershipin e tyre. Besoj se do të ketë ndryshime, sidomos në LDK-në, e cila ka një histori të gjatë si parti institucionaliste, por gjatë këtij mandati ka qëndruar statike dhe shpesh ka bllokuar proceset parlamentare. Ky qëndrim ka qenë shpesh destruktiv dhe ka penguar dialogun politik. Prandaj pres që të ketë ripozicionim edhe në çështjen e zgjedhjes së presidentes”, ka shtuar ajo.

E pyetur nëse presin që LDK-ja të votojë edhe këtë radhë Vjosa Osmanin për presidente, Statovci tha:

“Të gjithë e njohim punën e shkëlqyer dhe qëndrimet e forta të presidentes Osmani gjatë mandatit të saj. Ajo ka treguar seriozitet dhe përkushtim në pozicionin e saj. Nuk mund të paragjykoj saktë, por duke parë ndryshimet që pritet të ndodhin brenda LDK-së, besoj se do të ketë një reflektim të duhur nga ana e tyre”.

Në fund, Statovci ka theksuar se destruktiviteti dhe inati politik i partive të tjera vetëm do t’u thellojë humbjet nëse nuk ndryshojnë strategjinë e lidershipit dhe kauzat për të cilat qëndrojnë.