Lajme

Stërvitjet afër kufirit, Shala: Faktori ndërkombëtar po hesht ndaj militarizimit të Serbisë

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka folur lidhur me stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, duke kritikuar heshtjen e faktorit ndërkombëtar ndaj, siç e quajti ai, militarizimit të shtuar të Serbisë.

Në emisionin FIVE, Shala deklaroi se mungesa e reagimit nga ndërkombëtarët përbën një lloj miratimi të heshtur ndaj veprimeve të Serbisë.

Sipas tij, ruajtja e integritetit territorial të Kosovës është përgjegjësi e KFOR-it, ndërsa çështjet që lidhen me hapësirën ajrore dhe kapacitetet balistike duhet të jenë shqetësim i NATO-s.

Ai theksoi se kjo situatë lidhet edhe me zhvillimet gjeopolitike globale, duke shtuar se Serbia po i kalkulon veprimet e saj në këtë kontekst.

“Heshtja është këtu me rendësi, sepse faktori ndërkombëtar është duke heshtur ndaj një militarizim i skajshëm që është duke bërë Serbia, sepse dijmë qarët se tërësinë territoriale të Kosovës është detyrë e KFOR-it, hapësira ajrore dhe blerja balistike e raketave duhet të ishte preokupim i NATO-s sepse mbi 5 mijë metra lartësi nga toka në ajër më tutje e kalon përgjegjësia e NATO-s. Kjo heshtje ky miratim i faktori ndërkombëtar po e tregon një argument, Serbia është kalkuluar në ndryshimet që janë duke ndodhur në aspektin gjeo-politik në nivelin botëror”, ka deklaruar Shala.

Po ashtu, Shala vlerësoi se këto lëvizje mund të kenë lidhje edhe me zhvillimet e brendshme në Serbi, përfshirë zgjedhjet lokale, ku sipas tij, nevojitet një justifikim për investimet ushtarake të bëra në katër vitet e fundit.

Të Ngjashme