Lajme

Stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën shkaktojnë reagime

Stërvitjet e ushtrisë serbe pranë vijës kufitare me Kosovën kanë ngjallur reagime të menjëhershme nga institucionet në Prishtinë. Autoritetet kosovare i kanë cilësuar këto veprime si cenim të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Pjesëtarë të ushtrisë serbe kanë zhvilluar stërvitje ushtarake pranë vijës kufitare me Kosovën mëngjesin e së mërkurës. Sipas raportimeve, gjashtë parashutistë janë hedhur nga një helikopter mbi zonën e Breznicës në komunën e Bujanocit, ndërsa një tjetër helikopter ka fluturuar drejt Muhocit, ku janë lëshuar parashutistë të tjerë.

Këto stërvitje i ka quajtur provokime kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të cilit me këto veprime Serbia po e shpreh frikën dhe pafuqinë karshi vendit tonë.

 “Ky është një provokim i Serbisë, e cila natyrisht që dëshiron ta cenoj integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radojqiq në Banjskë të Zveçanit për vrasjen e policit heroit të vendit Afrim Bunjaku por në të njëjtën kohë tregon edhe pafuqinë e tyre”, tha Kurti.

Se Serbia po e provokon Kosovën thotë edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, pasi sipas tij, është po Serbia që i ka shkaktuar vendit tonë shumë të këqija.

 “Gjithmonë ka me u pa kjo si provokim për Republikën e Kosovës, Serbia na e ka shkaktu 2023-shin, që do të thotë sulmin në Banjskë, Serbia na e ka sulmu arterien kryesore të ujit ku kanë qenë 600 mijë nevojtarë për atë ujë dhe pastaj energjetikën. Si mund të mos jetë provokim, është provokim i pastër, është edhe kërcënim për të ardhmen, domethënë kjo është ajo Serbia që e luan qasjen neutrale, thith fonde nga Bashkimi Evropian kurse në anën tjetër është partner me Briksin, kjo është ajo Serbia”, pohoi ai.

Në lidhje me këto stërvitje, kryeministri Kurti bëri të ditur se i është drejtuar edhe faktorit ndërkombëtar.

Të Ngjashme