Analistja Ivana Stradner ka reaguar pas raportimeve të The New York Times se dy figura të afërta me presidentin amerikan Donald Trump kanë qenë në Republika Srpska, ku kanë këshilluar qeverinë pro-ruse të këtij entiteti në Bosnje e Hercegovinë.
Përmes një postimi në rrjetin X, Stradner iu referua raportimit të gazetës amerikane dhe tha se Trump ka të drejtë të distancohet nga lideri i Republika Srpska, Milorad Dodik, si dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Presidenti Trump ka absolutisht të drejtë të distancohet nga Dodik, por edhe nga Vuçiqi i Serbisë. Ata nuk janë aleatë të SHBA-së; ata janë kukulla të Putinit dhe Xi Jinpingut, të cilët po e përdorin presidentin Trump për legjitimitet”, shkroi Stradner.
The New York Times @nytimes reports that two of Trump’s top political advisers were in Republika Srpska advising its pro-Russian government.
President Trump is absolutely right to distance himself. Dodik and also Serbia’s Vučić are no U.S. allies; they are Putin’s and Xi’s puppets, who are using @POTUS for legitimacy.
— Ivana Stradner (@ivanastradner) October 7, 2026Reagimi i saj erdhi pasi Trump publikoi një deklaratë për Chris LaCivita dhe James Blair, dy figura të njohura të rrethit të tij politik, duke sqaruar se ata janë konsulentë të jashtëm dhe nuk punojnë për të në cilësinë e këshilltarëve.
Trump tha se LaCivita dhe Blair mund të kenë edhe klientë të tjerë, ndërsa theksoi se do të verifikojë nëse ekziston ndonjë konflikt interesi.
“Nëse ka konflikt, do ta ndërpres menjëherë marrëdhënien me ta!”, deklaroi Trump.
Raportimet për angazhimin e dy konsulentëve amerikanë në Republika Srpska kanë rikthyer vëmendjen te lidhjet mes figurave politike amerikane dhe aktorëve politikë në Ballkan, veçanërisht te struktura që mbajnë qëndrime të afërta me Rusinë.
Stradner, e cila ka kritikuar vazhdimisht ndikimin rus në Ballkan, e shfrytëzoi rastin për të vënë në pikëpyetje pretendimet për afërsinë e Dodikut dhe Vuçiqit me Uashingtonin, duke argumentuar se ata përpiqen të përfitojnë nga lidhjet me administratën Trump për legjitimitet, ndërsa vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Pekinin.
