Strategjia ‘Serbia 2030’, e prezantuar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, shpërfaq haptazi oreksin territorial, përfshirë edhe Kosovën si pjesë e hartës politike dhe ushtarake të Serbisë.
Vizioni politik dhe strategjik i paraqitur në këtë dokument, mbështetet në Kushtetutën serbe, e cila përcakton se Kosova është një krahinë autonome brenda Serbisë.
Ndaj, deklaratat e Vuçiqit, janë retorikë e njohur kërcënuese, që vijnë në vazhdimësi nga politikanët serbë, duke konfirmuar synimin hegjemonist të Serbisë ndaj Kosovës.
Qasja e Serisë ndaj Kosovës vazhdon të jetë sfiduese për stabilitetin rajonal, vënë në pah njohës të sigurisë, duke nënvizuar se retorika politike e udhëheqjes në Beograd në vazhdimësi kontribuon në rritjen e tensioneve dhe në krijimin e një klime pasigurie në rajon.
“Ne kemi kapacitete të bollshme të sigurisë vendore, por edhe prezencë ndërkombëtare këtu dhe gjithandej. Po ashtu edhe zotimet e SHBA-së nga presidenti Trump që nuk do të ketë ndryshim të kufijve, bëjnë që këto rreziqe dhe apetitet të sëmura të Serbisë dhe lidershipit të saj mos të jenë të qëndrueshme”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Nga këndvështrimi i njohësve të sigurisë, Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkan që edhe më tej vazhdon të ketë pretendime territorial ndaj një vendi fqinj.
“Mos harroni që më 24 shtator 2023 është sulmuar Republika e Kosovës. Në 2024 në nëntor është sulmuar arteria e Republikës së Kosovës – uji. Serbia gjithmonë shfrytëzon situata. Ai është shtet armiqësor i Republikës së Kosovës sepse po sillet si i tillë. Serbia ka mbetur vendi i vetëm në Ballkan që ka pretendime territoriale kurse askush prej fqinjëve nuk ka pretendime ndaj saj”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.
