Shëndetësia

Studimi: Konsumi i bananes mund të ulë rrezikun nga sëmundjet e zemrës

Ngrënia e përditshme e bananes mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe infarktit, sipas një studimi të fundit shkencor.

E pasur me kalium, banania dhe ushqime të tjera me këtë mineral ndihmojnë në parandalimin e bllokimeve të rrezikshme dhe ngushtimit të arterieve. Studiuesit nga University of Alabama at Birmingham analizuan efektet e kaliumit përmes testeve laboratorike te minjtë me rrezik për sëmundje kardiovaskulare.

Gjatë studimit, minjtë u ndanë në grupe me nivele të ulëta, normale dhe të larta të kaliumit në dietë. Rezultatet treguan se ata me konsum të ulët të kaliumit shfaqën trashje më të theksuar të arterieve.

Në të kundërt, minjtë që morën nivele më të larta të kaliumit kishin më pak ngushtim të enëve të gjakut dhe reduktim të ngurtësimit të aortës. Megjithatë, konsumi i tepërt i kaliumit u shoqërua me efekte anësore si dhimbje stomaku, të vjella dhe diarre.

Sipas Dr. Mike Knapton, mungesa e kaliumit në nivelet e rekomanduara mund të kontribuojë në forcimin dhe ngurtësimin e arterieve.

Ai ka theksuar për The Sun se nevojiten më shumë studime për të kuptuar nëse efektet e vërejtura tek minjtë janë të njëjta edhe tek njerëzit.

Ekspertët rekomandojnë një konsum ditor prej rreth 3500 mg kalium, ku rreth një e katërta e kësaj sasie mund të merret duke konsumuar dy banane. Burime të tjera të pasura me kalium janë patatet, brokoli, lakra, farërat, peshku dhe mishi i pulës.

Të Ngjashme