Sipas një studimi gjithëpërfshirës të Kembrixhit që hartëzoi lidhjet nervore të 3.802 personave, truri i njeriut kalon përmes pesë “epokave” strukturore kryesore nga lindja deri në pleqëri, me ri-lidhjen më dramatike jo në adoleshencë, por rreth moshës 32-vjeç.
Studimi, i udhëhequr nga studiues në Njësinë e Shkencave të Njohjes dhe Trurit MRC në Kembrixh, analizoi skanime të rezonancës magnetike (MRI) të difuzionit të 3.802 personave të moshave nga lindja deri në 90-vjeç.
Studimi i botuar në revistën ‘Nature Communications’ ofron pamjen më gjithëpërfshirëse deri më sot të mënyrës se si lidhjet nervore ri-organizohen teksa rritemi, arrijmë pjekurinë dhe plakemi.
“Ky studim është i pari që identifikon fazat kryesore të lidhjeve të trurit gjatë gjithë jetës së njeriut”, tha Dr. Alexa Mousley, studiuese në Kembrixh, e cila udhëhoqi studimin.
Ajo tha se këto njohuri “ofrojnë kontekst të rëndësishëm për atë që truri ynë mund ta bëjë më mirë ose të jetë më i ndjeshëm ndaj disa gjërave, në periudha të ndryshme të jetës sonë”.
Ekipi zbuloi se tupologjia e trurit gjatë fëmijërisë shtrihet nga lindja deri në rreth 9-vjeç, karakterizuar nga rritje e shpejtë e materies gri dhe të bardhë, si dhe shkurtimi i sinapseve të hershme.
Kalimi në adoleshencë sjell rrjete gjithnjë më efikase, me organizimin e materies së bardhë që arrin kulmin në fillim të 30-tave.
“Rreth moshës 32-vjeç, shohim ndryshimet më të mëdha drejtuese në lidhjet e trurit dhe zhvendosjen më të madhe të përgjithshme në trajektore”, tha Mousley.
Ky moment shënon fillimin e periudhës së gjatë të të rriturve, një periudhë stabiliteti që zgjat më shumë se tre dekada.
Studiuesit thonë se kjo fazë korrespondon me një “pllajë të gjerë të inteligjencës dhe personalitetit”.
Një pikë kthimi më e butë vjen rreth moshës 66-vjeç, kur fillon plakja e hershme.
“Të dhënat sugjerojnë se një ri-organizim gradual i rrjeteve të trurit kulmon në mes të të gjashtëdhjetave”, tha Mousley, duke e lidhur me uljen e materies së bardhë dhe rritjen e rreziqeve shëndetësore si hipertensioni.
Epoka e fundit fillon rreth moshës 83-vjeç, ndërsa lidhshmëria globale zvogëlohet dhe truri mbështetet më shumë në rrjete lokale.
“Duke u kthyer pas, shumë nga ne ndjejmë se jetët tona janë karakterizuar nga faza të ndryshme. Rezulton se edhe truri kalon nëpër këto epoka”, tha një autor i studimit, Prof. Duncan Astle.


